Në kuadër të 75-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashistë, Muzeu Historik Kombëtar si institucioni më i madh i kujtesës historike kombëtare çeli këtë ekspozitë me fotografi, harta dhe armatime, nga vitet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, kësaj epopeje të ndritur të kombit shqiptar. Në ekspozitë gjenden edhe libra të kohës së luftës, si edhe libra të shkruar nga dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, të cilët veç aktit heroik të sakrifikimit për lirinë e Atdheut na kanë lënë edhe një trashëgimi të çmuar letrare.
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, çeli ekspozitën duke thënë se: “Pushtimi i Shqipërisë nga fashistët italianë më 7 prill 1939, ishte një ndër aktet e para agresive të fashizmit në Europë. Kjo datë ka hyrë në histori si dita e parë e pushtimit fashist, por edhe si dita e parë e rezistencës së armatosur antifashiste të popullit shqiptar. Me pushtimin e Shqipërisë nga Gjermania hitleriane filloi një periudhë edhe më e rëndë, por dhe heroike për Luftën Nacionalçlirimtare në Shqipëri. Më 29 nëntor 1944, Shqipëria u çlirua nga pushtimi gjerman”.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ishte pjesëtare e Koalicionit të madh Antifashist Botëror. Misionet e huaja të vendeve aleate kanë dhënë kontributin e tyre gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Misioni i parë britanik kryesohej nga majori Billi Maklin. Në tetor 1943, Drejtoria e Operacioneve Speciale mori udhëzim të dërgonte në Shqipëri një mision të nivelit të lartë, të kryesuar nga gjeneral brigade Edmond Dejvis, i cili do të bashkrendonte punën e grupeve angleze, që vepronin në Shqipëri. Pas kapjes rob të Dejvisit misioni britanik u plotësua nga Norman Wheeler dhe Alan Palmer. Kryetar i Misionit Ushtarak Amerikan në Shqipëri ka qenë Thomas Stefan, ndërsa majori Ilia Ivanov ka qenë kryetari i Misionit Ushtarak Sovjetik.