“Territori shqiptar përbën një surprizë të këndshme për të gjithë studiuesit, pasi në këtë tokë gjenden të gjitha llojet e kulturave”. I këtij mendimi është z.Dorian Koçi, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, i cili e bëri këtë parantezë përpara se të referonte mbi temën “Trashëgimia Kulturore Bizantine në Muzeun Historik Kombëtar”. Në sallën “Kostandin Shpataraku” në Muzeun Historik Kombëtar, z.Koçi, me cilësinë edhe të historianit mbajti një leksion të hapur për studentët që frekuentojnë Shkollën Verore të Gjuhës, Historisë dhe Civilizimit Bizantin. Në referimin e tij ishin të pranishëm gjithashtu edhe dy profesorë grekë, Agamnenon Tsalikas dhe Konstandin Jakumis. Madje ky i fundit bëri edhe një shpjegim për studentët në pavijonin e Ikonografisë të Muzeut Historik Kombëtar.
Në fjalën e tij drejtori z. Dorian Koçi dha argumente mbi një seri objektesh që ndodhen të ekspozuara në Muzeun Historik Kombëtar, duke filluar me Kapitelet Mesjetare të gjetura në Durrës e për të vazhduar me Emblemat Anonime, Thesarin e Kuçovës, Stemën e Principatës së Arbrit, Mbishkrimin e kishës së Gëziqit, mbishkrimin e kishës së Shirgjit, Epitafin e Gllavenicës, Portalin i Manastirit të Shën Gjon Vladimirit, Stemën e Karl Topisë, Stemën e Skurajve, Shpatën dhe Përkrenaren e Gjergj Kastriotit, etj
“Larmia e objekteve të ekspozuara në Muzeun Historik Kombëtar, synon të ofrojë një panoramë gjithëpërfshirëse të kulturës materiale, që u formua në territorin e Shqipërisë dhe ftojnë vizitorin në një itinerar historik, duke ndjekur kronologjinë e ngjarjeve kryesore, që zunë vend në territorin tonë, për një periudhë që shtrihet nga Antikiteti i Vonë e deri tek ajo bizantine”, do të përfundonte drejtori Dorian Koçi.