Konferenca Ndërkombëtare e Arkivistikës, organizuar me bashkëpunimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë dhe Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës u zhvillua falë dhe bashkëpunimit me Muzeun Historik Kombëtar. Në ambientet e sallës UNESCO të Muzeut, u organizua Konferenca me temë “Arkivat dhe puna arkivore në trevat e shqiptarëve në shek. XX–XXI”. Sipas drejtorit të përgjithshëm të Arkivave z.Ardit Bido, qëllimi i kësaj konference ishte të mblidhte sëbashku arkivistët e Shqipërisë dhe të Kosovës, arkivistët shqiptarë të viseve jashtë Shqipërisë, por që veprojnë ndër shqiptarë, nga Maqedonia dhe Mali i Zi, si dhe të tjerë arkivistë që punojnë apo studiojnë në fushë të arkivistikës. Temat që u propozuan për diskutim lidheshin specifikisht me arkivistikën, por edhe me historinë e arkivave apo institucioneve arkivore në zonat shqipfolëse. Përshëndeti Konferencën dhe më pas mbajti kumtesën me titull “Arkivat dhe puna arkiviore në Kosovë” dhe Drejtori i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, z.Ramë Manaj.
Në konferencën e parë kombëtare për arkivistikën në trojet shqiptare, nuk u diskutua vetëm bashkëpunimi që do të marrë formë me dixhitalizimin e shumë dokumenteve, por edhe problematikat që shqetësojnë këto dy institucione. Kumtesat edhe nga përfaqësues e arkivistë të vlerave kulturore, rikujtuan edhe një herë veprat që kanë një vlerë të madhe ekspozimi në vendin tonë. Kjo është e para konferencë që realizohet për të njohur edhe më shumë fondet e arkivave që disponon Shqipëria e Kosova.
Në fjalën e tij përshëndetëse Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, z.Dorian Koçi, tha: “Lektorët që marrin pjesë në këtë konferencë ndërkombëtare janë personalitete të spikatur në fushën e arkivistikës, prandaj mendoj se kjo konferencë do të sjellë frute të bollshme në lëmin e arkivistikës shqiptare të shek. XX-XXI. Desha të theksoj faktin që organizatorët e konferencës krahas arkivistëve me përvojë kanë përzgjedhur edhe mjaft të rinj, të cilët me kontributin e tyre do ta ngrenë në stade më të larta arkivistikën shqiptare”. Më pas drejtori Koçi mbajti kumtesën me titull “Koleksionet muzeore në Muzeun Historik Kombëtar dhe roli i tyre në rrëfimin e historisë”.
Konferenca e ndarë në tre seanca do të vijonte më pas punimet me mbajtjen e rreth 30 kumtesave. Gjithashtu u shpërndanë certifikata edhe për arkivistët e rinj të sapotrajnuar nga ekspertët e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë.