550-vjetori i vdekjes së Skënderbeut përkujtohët me ekspozitën “Moti i Madh” çelur në Muzeun Historik Kombëtar

“Personaliteti i Skënderbeut si burrë shteti, strateg e mjeshtër i artit ushtarak dallonte me mbretërit e me princët evropianë të kohës, sepse ndryshe nga veprimtaria ushtarake e tyre që bazohej mbi trupat mercenare, ai u mbështet mbi një ushtri të formuar kryesisht nga vullnetarë që kishin gatishmëri luftarake dhe shpirt vetëmohimi”. Kështu do të shprehej Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, në çeljen e ekspozitës “Moti i Madh” e cila përkujton 17 janarin e vitit 1468, ditë kur një prej gjeneralëve më të mëdhenj të të gjitha kohrave, politikan, diplomat e burrë shteti, do të mbyllte sytë.
Në kuadër të të 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, Muzeu Historik Kombëtar inicioi çeljen e kësaj ekspozite e cila në përmbajtjen e saj ka ekspozitorë me armë mesjetare si dhe libra të autorëve të ndryshëm dedikuar prijësit mesjetar të shqiptarëve. Në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite kishte mjaft të pranishëm, të interesuar për dokumentacionin e larmishëm, pjesë e këtij koleksioni.
Gjatë fjalës së tij në çeljen e ekspozitës Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, do të shtonte: “Në përpjekjen e tij madhore për tu bërë Udhëheqësi i Kryqëzatës kundër otomanëve, shpesh herë, si del nga të dhënat historike, ai u përpoq ta anashkalonte pavarësinë e princërve të tjerë shqiptarë dhe ta kthente vendin e vet në një model të organizuar sipas modelit të Francës mesjetare, si një territor i qeverisur nga një mbret. Në të njëjtën kohë duhej të përballonte fuqinë më të madhe të kohës, tmerrin e gjithë mesjetës, perandorinë osmane. Kjo në fakt ishte sfida e tij”.
Ekspozita “Moti i Madh” është si një kujtim e si një shenjë e bashkësisë arbëreshe që nëpërmjet traditës së vet dhe letërsisë së shkruar e mbajti të pashuar zjarrin e viteve të Skënderbeut për ta ringjallur ashtu si Feniksi në memorjen dhe kujtesën kolektive të mbarë shqiptarëve.
Sipas Dr. Dorian Koçit, Skënderbeu sot vlerësohet e studiohet në Akademinë Mbretërore të Londrës për strategjinë dhe taktikën e tij ushtarake, ndërsa bustet dhe monumentet e tij janë në të gjitha sheshet qendrore evropiane, ndaj është një hero dhe simbol i qytetërimit evropian.
Ekspozita përmban statute, faksimile, gravura të autorëve të ndryshëm dhe portrete, kryesisht nga përkthimi i Marin Barletit në Gjermanisht i vitit 1533 ku janë të përfshirë rreth 107 ilustrime. Si autorë të mundshëm përmenden Hans Burgmair, Jorg Breu i Vjetri, Jorg Breu i Riu etj. Përzgjedhja e këtyre gravurave që pasqyrojnë shpirtin e kohës është bërë me qëllimin për ta parë Skënderbeun ashtu si e vështroi dhe përjetoi Europa e Humanizmit e shekullit të XI-XVI.
Projeksionet artistike me dokumentarë dhe imazhe nga filmat për Skënderbeun pasurojnë ekspozitën “Moti i Madh” gjatë gjithë hapësirës së hollit kryesor të Muzeut Historik Kombëtar.

26756344_1810857672310331_1535190723296967550_o 26733727_1810859082310190_7517076135003673081_n 26815149_1810858775643554_3095869063802253657_n 26907233_1810858635643568_6552993898785378576_n 26850366_1810858032310295_2216329569863186030_o 26840999_1810857842310314_1106439203019442846_o 26850478_1810857718976993_1284112909835167038_o

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *