Muzeu Historik Kombëtar dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave lidhën, sot, një marrëveshje bashkëpunimi, e cila erdhi vetëm pak kohë pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit. Marrëveshja u firmos nga drejtorët respektiv të dy institucioneve z. Dorian Koçi dhe z.Ardit Bido. Në fjalën e tij drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr.Dorian Koçi tha se, “Kjo marrëveshje çon më tej zbatimin e projekteve të përbashkëta, të cilat kanë si qëllim promovimin dhe përkujtimin e vlerave, ngjarjeve më të spikatura të historisë dhe personaliteteve historikë të popullit shqiptar. Dëshmi e aktiviteteve të përbashkëta është edhe ekspozita më e fundit që u zhvillua në bashkëpunim më Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, për pullat administrative të institucioneve shqiptare dhe nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit, i cili i hapi rrugën kësaj marrëveshjeje të rëndësishme.” Drejtori i Arkivave të Shtetit z.Ardit Bido u shpreh se më në fund dy institucionet po i hapin rrugën njëra-tjetrës, pa pasur më pengesa burokratike drejt realizimit të kalendarëve kulturorë që dy institucionet kanë programuar. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave do të siguroj materiale arkivore për Muzeun Historik Kombëtar për realizimin e ekspozitave të përkohshme, realizimin e botimeve dhe konferencave shkencore dhe shkëmbimin e botimeve mes dy institucioneve.