Ambasadorja greke në Tiranë, znj. Eleni Sourani, është treguar e gatshme të vendosi ura bashkëpunimi me Muzeun Historik Kombëtar. Për këtë shërbeu dhe një vizitë e saj në pavijonet e këtij Muzeu por dhe një takim me drejtorin e institucionit z. Melsi Labi. Në përfundim të vizitës drejtori Labi konfirmoi edhe një herë se me diplomaten e vendit fqinj u fol për mundësitë e bashkëpunimit mes ambasadës greke dhe Muzeut Historik Kombëtar. Një trajtim të veçantë gjatë takimit do të zinte dhe biseda rreth binjakëzimit të Muzeut Historik Kombëtar me muzetë greke si në rastin e Muzeun Kombëtar të Athinës apo muzeut bizantin me qendër në Selanik. Për t’i paraprirë bashkëpunimit të ardhshëm ambasadorja Sourani e shoqëruar nga drejtori Labi, bënë dhe një vizitë në muze për të qartësuar nga afër të gjitha ato pika të cilat u vlerësuan se kërkojnë ndërhyrje, ndihmë dhe një bashkëpunim reciprok. Po ashtu gjatë vizitës në pavijone u fol për realizimin e projekteve të përbashkëta, për restaurimin e objekteve ikonografike, por dhe të objekteve të tjera të cilat janë pjesë e Muzeut Historik Kombëtar.