Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 tetor 1981. Ai është institucioni më i rëndësishëm muzeor në Shqipëri. Muzeu Historik Kombëtar synon të nxisë mirëkuptimin e vlerësimin e historisë së Shqipërisë te publiku vendës, kombëtar dhe ndërkombëtar. Ai synon, gjithashtu të inkurajojë dialogun midis qytetarëve për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen shqiptare. Për këtë qëllim, ai ruan dhe studion provat materiale dhe jomateriale të trashëgimisë historike dhe kulturore të Shqipërisë, të cilat i komunikon dhe i paraqet në një mjedis, që nxit edukimin. Ai organizon dhe mundëson, gjithashtu aktivitetet, që përkrahin vizionin dhe misionin e tij. Ndërtesa e Muzeut Historik Kombëtar zë një sipërfaqe të përgjithshme prej 27.000 m2; ka sipërfaqe ekspozimi prej 18.000 m2 dhe një vëllim të përgjithshëm prej 81.000 m3. Në mjediset e muzeut janë rreth 6200 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore, duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Objekte të ekspozuara janë rreth 3100. Pjesa tjetër e objekteve janë në fonde. Aktualisht, Muzeu Historik Kombëtar ka shtatë pavijone: Lashtësia, me 585 objekte; Mesjeta, me 217 objekte; Ikonografia, me 90 objekte (nga të cilat 70 janë ikona dhe 20 janë objekte liturgjike kishtare); Rilindja Kombëtare, me 230 objekte; Pavarësia, me 142 objekte etj. Për konceptimin dhe përmbajtjen e Muzeut Historik Kombëtar ka punuar një grup pune, i përbërë nga specialistët më të mirë të muzeologjisë, arkeologjisë, historisë, etnografisë, artit pamor dhe restaurimit. Grupi i punës është drejtuar nga personalitete të shquara, si Gani Strazimiri, Koço Miho, Besim Daja, Skënder Luarasi, Valentina Pistoli, Sami Pashallari, Ilia Papanikolla, Robert Kota, Latif Lazimi, Guri Pani, Maksim Mitrojorgji, Magdalena Furxhiu, Odhise Paskali, Kristaq Rama, Shaban Hadëri, Foto Stamo, Fatmir Haxhiu, Guri Madhi, Ndreçi Plasari, Stefanaq Pollo, Kristo Frashëri, Selim Islami, Kleanthi Dede, Ballkize Haxhihyseni, Taqi Miho e shumë të tjerë. Muzeu Historik Kombëtar është institucion studimor shkencor. Krahas sallave të pavijoneve, muzeu ka edhe mjediset e arkivit e të laboratorëve, salla të ekspozitave të përkohshme dhe salla konferencash.

10 Shkurt

NJOFTIM për vend të lirë pune “Specialist/Jurist”, në MUZEUN HISTORIK KOMBËTAR

Në mbështetje të dispozitave të Ligjit 7961, datë 12.07.1995 “Kodi i Punës”, i ndryshuar, në Rregulloren e Organizimit dhe Funksionimit të Brendshëm së Muzeut Historik Kombëtar miratuar me Urdhrin Nr. 509 datë 09.12.2020 të Ministrit të Kulturës, si edhe në të gjithë legjislacionin shqiptar në fuqi, Muzeu Historik Kombëtar shpall procedurat e konkurimit:
Ø 1 (një) vend vakant, pozicioni “Specialist”. Kategoria e pagës IV-2  
 
Përshkrimi përgjithësues i pozicionit të mësipërm është:
1) Përgatit  dhe  mban  evidencën  e  akteve  ligjore  e  nënligjore  që rregullojnë veprimtarinë e institucionit. Nënshkruan dhe vlerëson bazën ligjore të çdo dokumenti apo akti administrativ që miratohet nga Titullari i MHK. Mban të informuar dhe këshillon stafin e MHK-së me aktet e reja ligjore dhe nënligjore që publikohen, sipas fushave të tyre të veprimtarisë.
2) Siguron Propozon përcaktimin e procedurës së duhur ligjore për çdo rast prokurimi. Ndjek dhe kryen të plotë (në bashkëpunim me komisionin e posaçëm), procedurat e prokurimeve për të gjitha fondet e parashikuara në buxhetin e shtetit dhe donacionet, për mallra, shërbime apo ndërtime, të nevojshme për këtë institucion sipas Ligjit të Prokurimit Publik.
3) Ndjek ecurinë e çështjeve administrative/penale civile gjyqesore pranë organeve përkatëse, në të cilat është palë MHK. Përgatit së bashku me punonjësit përkatës sipas fushës së çështjes, prapësimet dhe aktin e ankimimit, duke dhënë argumentat e duhur juridiko –administrativë për të mbrojtur interesat dhe vendimmarrjen e MHK.
4) Kontribuon në hartimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit ose kontratave të ndryshme me palë MHK-në dhe institucioneve të tjera brenda dhe/ose jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
5) Menaxhimi i HRMIS (sistemin e menaxhimit të rregjistrit elektronik të punonjësve të administratës së institucionit).
6) Ndjekja e zbatimit të Regullores së Brendshme dhe Kodit të Etikës së institucionit.
 
1.    KUSHTET DHE KRITERET E VEÇANTA
 
1.1.  Kandidati për Specialist duhet të plotësojë kërkesat e përgjithshme si vijon:
a. Të jetë shtetas shqiptar.
b. Të ketë zotësi të plotë për të vepruar.
c. Të zotërojë gjuhën shqipe të folur dhe të shkruar;
ç. Të përmbushë kërkesat ligjore për nivelin arsimor dhe të zotërojë aftësitë e nevojshme për vendin përkatës të punës.
d. Të jetë në kushte shëndetsore të mira për të kryer detyrat përkatëse.
e. Të ketë cilësi të larta morale e qytetare.
ë. Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtje penale me dashje.
f. Ndaj tij të mos jetë marrë masë disiplinore e largimit nga puna për shkak të një shkeljeje të rëndë disiplinore.
g. Të ketë referencë pune nga punëdhënësi i mëparshëm.
 
 
1.2.   Kandidatët duhet të plotësojnë kërkesat e posaçme si vijon:
a. Arsimi profesional: I lartë/Master shkencor në Juridik.
b. Të ketë mbi 5 vjet eksperiencë pune.
c. Të ketë aftësi të mira drejtuese dhe organizuese.
d. Të ketë dëshmi të njohjes së të paktën një gjuhe të huaj perëndimore, preferohet gjuha angleze. Zotërimi i gjuhëve të tjera shtesë përbën përparësi në përzgjedhjen e kandidatit.
e. Të ketë njohuri të përdorimit të programeve bazë të kompjuterit.
ë. Të njohë dhe të zbatojë kodin e etikës në punë dhe të jetë i gatshëm të punojë në grup.
f. Të jetë i gatshëm të punojë në orare të ndryshme, edhe në fundjavë, në varësi të orarit të muzeut dhe aktiviteteve që zhvillon muzeu.
 
2.    DOKUMENTACIONI, MËNYRA DHE AFATI I DORËZIMIT.
 Kandidatët duhet të dorëzojnë dokumentat si më poshtë:
a. Fotokopje e kartës së identitetit.
b. Jetëshkrim (Curriculum vitae);
c. Kopje diplome dhe listë notash e noterizuar;
ç. Certifikata kualifikimi të ndryshme (në rast se ka);
d. Fotokopje e librezës së punës (të gjitha faqet që vërtetojnë eksperiencën në punë) e noterizuar;
e. Motivacioni i largimit nga puna e fundit (në se është i punësuar ose ka qenë i punësuar);
f. Raport mjeko-ligjor;
g. Vetëdeklarim i gjendjes gjyqësore;
h. Referencë pune.
 
–          Afati i dorëzimit data e fundit e aplikimit 17.02.2025, ora 16:30.
Dokumentat duhet të dorëzohen me postë ose pranë protokollit të Muzeut Historik Kombëtar brenda datës 17.02.2025, brenda orës 16:30 ose në mënyrë elektronike në adresën muzeuhistorikkombetar@mhk.gov.al
 
MËNYRA E VLERËSIMIT TË KANDIDATËVE
 
1. Kandidatët do të vlerësohen në lidhje me dokumentacionin e dorëzuar:
Kandidatët do të vlerësohen për përvojën, trajnimet apo kualifikimet e lidhura me fushën.
2. Kandidatët do të vlerësohen nëpërmjet intervistimit me gojë në datë 21.02.2025 në lidhje me:
a- Njohuritë, aftësitë, kompetencën në lidhje me punën;
b- Eksperiencën e tyre të mëparshme;
c- Motivimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karrierën.
 
DATA E DALJES SË REZULTATEVE TË KONKURIMIT DHE MËNYRA E KOMUNIKIMIT
Në përfundim të vlerësimit të kandidatëve, informacioni do të shpallet në faqen zyrtare të institucionit (www.mhk.gov.al).