Muri sovjetik i Berlinit kishte rënë në Gjermani, dhe Bukureshti ishte përfshirë prej kohësh nga revolucioni i përgjakshëm antikomunist, por në Shqipëri ende nuk ishte ndjerë si duhet fryma e ndryshimeve radikale që kishte përfshirë Evropën Lindore të KNER-it, ku dikur futeshin vendet e “Kampit Socialist”. Gjithçka po lëvizte zhurmshëm, por timpanet e alarmit ende nuk kishin mbërritur në veshin e izoluar të shqiptarëve deri në dhjetorin e vitit 1990. E megjithatë, më pas se kaq edhe në Tiranë gjërat do të ndryshonin rrufeshëm, derisa në 20 shkurt të vitit 1991 do të rrëzohej dhe simboli më i madh i diktaturës në Shqipëri.
Në përkujtim të kësaj dite, në Pavijonin e Diktaturës të Muzeut Historik Kombëtar, u çel ekspozita “Komunizmi në epokën e tij”, duke i paraprirë në këtë mënyrë 27 vjetorit të rrëzimit të statujës 8 metra të lartë të diktatorit, Enver Hoxha, në qendër të kryeqytetit. Kjo gjë shënoi simbolikisht dhe rënien e diktaturës në Shqipëri.
Sipas Jonila Godoles, drejtore e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, muaji Shkurt në vetvete është një muaj kujtese. “Ekspozita nuk vjen rastësisht në këtë datë, pasi 67 vite më parë, më 19 shkurt 1951, ndodhi edhe incidenti i bombës në Ambasadën Sovjetike, si pasojë e të cilit në mesnatën e 26 shkurtit 1951 u pushkatuan pa gjyq dhe pa faj 22 intelektualë të Tiranës dhe të Shqipërisë, me vendim të PPSH. Më 27 shkurt 1967 nisi fushata dhe lufta e hapur kundër besimeve fetare, kundër klerit dhe institucioneve fetare, e kamufluar si “nisma revolucionare e rinisë”, do të thoshte Godole.
Ndërsa drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, në fjalën e tij do të theksonte se ky aktivitet rreshtohej mes shumë aktiviteteve të tjera të denja që Muzeu Historik Kombëtar kishte organizuar dhe trajtuar gjatë një viti, rreth dialogut me të shkuarën. Më pas Dr. Dorian Koçi do të shtonte: “Ngritja dhe rënia e komunizmit gjatë viteve 1945-1990 përveç ndryshimeve që solli në infrastrukturë dhe arsim krijoi edhe atë që quhet “Dehumanizëm”. Ata që kishte pushtuar ideologjia ishin të errët dhe njerëzit i shikonin si numra, të dehumanizuar thuajse tërësisht nga ideologjia, e cila kishte larguar shpirtin njerëzor human me anë të doktrinës komuniste totalitare”.
I ftuar për ta prezantuar këtë ekspozitë ishte dhe kuratori i ekspozitës Dr. Ulrich Mählert, përfaqësues i Fondacionit Federal për Studimin e Diktaturës në Gjermani.
Ekspozita “Komunizmi në epokën e tij” përshkruan ngritjen dhe rënien e lëvizjeve komuniste në shekullin XX. Botuesit e ekspozitës janë Fondacioni Federal për Studimin e Diktaturës në Gjermani, Muzeu Historik Gjerman dhe për versionin shqip Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC). Autori i saj është historiani gjerman Gerd Koenen.