Dje, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut u zhvillua ceremonia e hapjes së ekspozitës me titull “Rrëfimet e një koleksioni albanologjik, Shqipëria dhe shqiptarët nga Skënderbeu tek Pavarësia”, pjesë e koleksionit privat të Ylli Sulës.

Sot, më 23 tetor 2018, në ditën e dytë të ekspozitës së veçantë, e cila me larmishmërinë e librave të vet, me epokat që ngërthen, me titujt që trajton dhe me tematikën e saj të pasur, nxiti në organizimin e një konference shkencore. Ky është një bashkëpunim shumë i frytshëm dhe i rëndësishëm që Muzeu Historik Kombëtar ka filluar me koleksionistin Ylli Sula. Një pjesë e rëndësishme e këtij koleksioni dhe të librave që mungojnë në Bibliotekën Kombëtare do të digjitalizohen dhe do t’i dhurohen Bibliotekës Kombëtare. Në këtë mënyrë studiuesit e disiplinave të ndryshme, shkencore e historike, do të kenë mundësi për t’i trajtuar në studimet e tyre.

Konferenca shkencore e sotme përbëhej nga kumtesat albanologjike të studiuesve: Aurel Plasari, “Skënderbe në dashurinë e një bibliofili”; Xhevat Lloshi, “Visaret befasuese të një koleksioni të rrallë”; Skënder Blakaj, “Kontributi shqiptar i Papë Albanit, përfshirë kryeveprën ‘Illyricum Sacrum’ dhe Skënderbeu”; Pëllumb Xhufi, “Epiri dhe Kosova në literaturën historike të shek. XV-XVII”; Irakli Koçollari, “Një epokë dhe një personazh që pruri në vëmendjen e Europës dhe më gjerë Shqipërinë dhe shqiptarët”; dhe Dorian Koçi: “Grand Tour”- Udhëtime dhe zonjat angleze në Shqipëri”. Në këto kumtesa u trajtuan me detaje dhe me hollësi pjesët më të rëndësishme të koleksionit të Ylli Sulës, sesi këta libra ndërthuren për të krijuar një panoramë të përgjithshme të studimeve historike në Shqipëri.

Për herë të parë në Muzeun Historik Kombëtar janë ekspozuar për publikun, një koleksion unik librash, hartash dhe gravurash të vjetra të shekujve XV – XIX, shkruar për Shqipërinë dhe shqiparët.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datë 30 Tetor 2018, në ambientet e Sallës së madhe të ekspozitave të Muzeut Historik Kombëtar.

44591223_2216599625069465_7181288750314422272_o 44561801_2216599498402811_2754060599313825792_o 44703405_2216600625069365_5617453009941299200_n 44598557_2216600431736051_905920100077404160_o44559130_2216600345069393_5136807424618921984_n 44579031_2216600251736069_6062751839051317248_n 44571527_2216600085069419_353878800947216384_n 44548621_2216600005069427_5011274266520322048_n 44743094_2216599705069457_1065606090789486592_n

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *