Në këtë konferencë ishin pjesëmarrës punonjës muzeumesh, ekspertë, kërkues në fushën e muzeologjisë dhe edukimit, për të prezantuar e diskutuar gjetjet e studimeve apo përvojat e tyre në këtë fushë, duke u fokusuar në rolin që muzetë dhe edukimi do të kenë në të ardhmen, në kulturën dhe mirëqenien e vendit.
Punimet e Konferencës III të Muzeut të Bankës së Shqipërisë u përshëndetën nga Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, znj. Luljeta Minxhozi dhe nga Ministrja e Kulturës znj. Elva Margariti.
I ftuar i veçantë në këtë konferencë ishte, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, i cili prezantoi aktivitetet edukative të Muzeut Historik Kombëtar, të cilat e bëjnë muzeun një vend mikpritës e qendër aktivitetesh për të rinjtë. Z. Koçi gjatë fjalës së tij theksoi se Muzeu Historik Kombëtar është një institucion që dëshmon jo vetëm vlerat historike, artistike dhe kulturore të kombit tonë, por jep edhe hapësirën e nevojshme për hulumtime dhe analiza historike, ndaj objektiv kryesor mbetet forcimi i rolit të tij edukues për brezat.