Sot, Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Institutin e Kulturës Rome në Shqipëri dhe me Ministrinë e Kulturës organizuan aktivitetin me titull “Diversiteti si Vlerë Evropiane”.
Ky aktivitet u mbajt me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Diversitetit Kulturor dhe synon të sigurojë shikueshmëri për artistët e rinj romë në vend, si dhe të fillojë një dialog mbi promovimin e diversitetit kulturor nga institucionet e kulturës. Ky event ishte një mundësi për të njohur kontributin e artistëve të rinj romë në skenat artistike dhe kulturore shqiptare.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin:
Znj. Elva Margariti, Ministre e Kulturës, Dr. Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, z. Bledar Taho, Instituti i Kulturës Rome në Shqipëri, znj. Majlinda Ziu, NënDrejtoreshë e gjimnazit “Sami Frashëri”, si edhe nxënës dhe përfaqësues nga gjimnazi “Ismail Qemali”.
Znj. Elva Margariti, Ministre e Kulturës, në fjalën përshëndetëse të saj theksoi se:
“Në gjithë botën sot, ata që spikasin dhe ata që ngjiten lart nuk janë njerëzit që janë gjithmonë njësoj si të tjerët, por ata që kanë brenda tyre një shtysë të madhe që i bën ata unikal dhe të veçantë. Do doja që secili prej jush të shikonte me diversitetin e tij tek vetvetja një forcë të madhe shtytëse për ti bërë ëndrrat realitet, të shtyrë gjithnjë nga diversiteti i tyre. Ju ftoj ta festojmë këtë ditë dhe ta përcjellim mesazhin e sotëm sa më tepër në të përditshmen tonë”.
Më pas u vizitua ekspozita me piktura, fotografi dhe u dhanë performanca të ndryshme muzikore nga të rinjtë e shkollave të mesme dhe artistike. Gjithashtu, nxënësit e gjimnazeve kishin përgatitur edhe video mesazhe të shkurtra për promovimin e diversitetit Kulturor.