Në kuadër të edicionit të gjashtë të veprimtarive “Ditët e Albanologjisë” organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Muzeu Historik Kombëtar u mbajt sot, në ambientet e muzeut, konferenca shkencore “Nga komunizmi drejt demokracisë: tranzicioni shqiptar”, ku drejtori i Muzeut Historik Kombëtar z.Melsi Labi mbajti kumtesën “Situata në Ballkan në fund të viteve ’80 të shekullit XX: Rasti i Shqipërisë”.
Në fjalën e tij ai tha se, “Pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën më 7 korrik të vitit 1978, e cila përkon me ndërprerjen e ndihmave nga jashtë, ekonomia shfaqi paaftësi për të harmonizuar proceset e vrullshme të jetës në vend. Izolimi tërësor u shoqërua me ulje drastike të investimeve në degë të ndryshme të ekonomisë. Gjatë viteve ’80 do të kishte një krizë në jetën ekomomike, kulturore e politike në vend, që vinte si pasojë e drejtimit të gabuar të ekonomisë gjatë viteve 60-70, duke likuiduar sektorët e artizanatit, kolektivizimin e zonave të thella malore, tufëzimin e bagëtive etj., të cilat çuan në likuidimin e poltë të pronës e të iniciativës private. Kjo krizë ekonomike, kulturore e politike do të pasqyrohej edhe në zhvillimet brenda PPSH. Viti 1981 u mbyll me një ngjarje të rëndë, që tronditi thellë jetën politike të vendit, pasi më 17 dhjetor vrau veten kryeministri i vendit Mehmet Shehu. Disa përpjekje për zbutjen e krizës u bënë menjëherë pas ardhjes në postin e kryeministrit të Adil Çarçanit, i cili deri në këtë kohë kishte mbajtur postin e Zëvendëskryetarit të Këshillit të Ministrave. Qeveria mori disa masa të pjesshme, kryesisht të karakterit administrativ, të cilat nuk dhanë rezultatet e pritura. Disa kompetenca të Kryesisë së Këshillit të Ministrave iu kaluan ministrive dhe dikastereve të tjera qëndrore. Ato u shoqëruan edhe me ndryshime të planit, të cilat synonin pakësimin e shpenzimeve në sektorë të caktuar për të balancuar defiçitin në buxhetin e shtetit. Këto ndryshime ishin të diktuara nga kriza, në të cilën ndodhej vendi dhe nuk krijonin premisa për kapërcimin e saj. Sektori i ekonomisë vazhdoi të ishte i centralizuar dhe i kontrolluar rreptësisht nga shteti. Bujqësia nuk realizonte planin e saj dhe gjendja sa vinte dhe përkeqësohej dhe kjo vihej re mjaft qartë në përkeqësimin e gjendjes së fshatarësisë dhe në mungesën e theksuar të furnizimit me produktet më të domosdoshme ushqimore. Situata e rëndë ekonomike u përkthye me probleme politike dhe me rritjen e pakënaqësisë, duke sjellë edhe rritjen e krimeve kundër shtetit. Numri i krimeve kundër shtetit u rrit sidomos në qytetet e mëdha, për shkak të rritjes së papunësisë, e cila si rjedhojë sillte varfëri dhe mungesa të mëdha në treg.
Të njëjtën gjendje si Shqipëria po përjetonin edhe vendet e tjera, të cilat qeveriseshin nga komunistët. Edhe në Bashkimin Sovjetik kemi një krizë totale që ka përfshirë sektorë të shumtë dhe kjo vinte si rezultat i inkompetencës së planifikuesve të qendrës, i mungesës së karburanteve dhe të metaleve, i shkatërimit të bujqësisë, i mefshtësisë së zyrtarëve të të gjitha niveleve, të cilët nuk i realizonin kurrë planet dhe fallsifikonin statistikat. Kjo tregonte mjaftë qartë gjendjen, në të cilën kishte rënë ky sistem, ku nepotizmi dhe korupsioni ishin bërë pjesë e pandashme e jetës. Deri në fillim të viteve 80′ vendet komuniste dukeshin shumë të forta dhe askush nuk e mendonte një dobësim të tyre dhe jo më rrëzim.
Në vitin 1985 Bashkimin Sovjetik do ta udhëhiqte Gorbaçovi, i cili do niste disa ndryshime në politikën e vendit të tij. Menjëherë pas ardhjes në pushtet ai do të përqëndrohej në problemet kryesore që haste partia: perestrojkën, kthesa vendimtare në ekonomi, uskorenien (përshpejtimi) i demokratizimit dhe glasnosti, koncept i cili do të luante një rol qëndror në politikën gjatë viteve që do të vinin. Glasnost do të thoshte të kundërshtoje të kaluarën, por akoma më e rëndësishme ishte të pajtoheshe me të tashmen.
Më 11 prill të vitit 1985 vdiq udhëheqësi i Shtetit Shqiptar Enver Hoxha, i cili e kishte udhëhequr vendin për 40 vjet. Vdekja e tij shtoi akoma edhe më shumë pasigurinë në vend, për ndryshimin e gjendjes, por ajo krijoi edhe një mundësi të re për udhëheqjen e vendit, ndryshimin e kursit të ndjekur prej tij. Pak ditë pas vdekjes së Enver Hoxhës, më 12-13 prill u mblodh Pleniumi i Komitetit Qëndror i Partisë së Punës të Shqipërisë, i cili zgjodhi Ramiz Alinë në postin e Sekretarit të Parë të PPSH-së. Në këtë mbledhje Ramiz Alia u betua se do t’i qëndronte besnik kursit të Enver Hoxhës. Kjo u konfirmua qartazi në Kongresin e IX të Partisë së Punës së Shqipërisë, që u mbajt në nëntor të vitit 1986, i cili u quajt Kongresi i vazhdimësisë. Në raportin që mbajti Ramiz Alia, vlerësonte lartë rolin e Enver Hoxhës si udhëheqës i Shtetit Shqiptar dhe misionin e Partisë së Punës, e cila kishte çuar popullin në çlirimin e plotë kombëtar e shoqëror dhe në ndërtimin e socializmit. Ai theksonte se besnikëria ndaj rrugës së Hoxhës do të ishte garanci për përparimin e vendit dhe mbrojtjen e pavarësinë e atdheut, por harroi, sigurisht me dashje, problemet ekonomike të vendit. Ky Kongres do të miratonte edhe objektivat e planit të ri pesëvjeçar 1886-1990, i cili parashikonte zhvillime të mëdha në fushën ekonomike, shoqërore e kulturore të vendit, të cilat do të realizoheshin tërrësisht në forcat e veta. Kjo do të thoshte se në fushën e ekonomisë do të vazhdonte e njëjat politikë ekonomike, me ekonomi të centralizuar e me plan unik shtetëror, me ndërtim veprash e objektesh të mëdha, jashtë mundësive reale që kishte vendi. Megjithatë pas Kongresit u bënë disa përpjekje për ndryshim. Ramiz Alia duke u nisur nga problemet që kishte sjellë tufëzimi i bagëtive në furnizimin e popullsisë me produkte blektorale, shfaqi mendimin se vendimi i marrë për tufëzimin e bagëtive kishte qënë i nxituar dhe kishte sjellë pasoja, të cilat duheshin korigjuar. Më 3 qershor 1985 në një mbledhje me bashkëpuntorët, ai dha sinjalin e parë për korigjim, ku theksoi se, oborri koperativist ishte ende i nevojshëm, për të plotësuar disa nevoja të domosdoshme të familjeve shqiptare, të cilat kooperativa nuk ishte në gjendje t’ua siguronte. Në fushën e bujqësisë u lejuan fshatarët të mbanin në oborrin privat bagëti të imta dhe shpendë, që në terminologjinë e kohës u quajtën “tufëza”. Ato do ishin pronë e kooperativës dhe prodhimet e tyre do të shërbenin për furnizimin e familjeve kooperativiste. Në këtë kuadër do të caktohej edhe një sipërfaqe toke, që do përdorej për furnizimin e fshatarësisë me perime, të cilat do quheshin “arrëza”. Por duke qënë se në Shqipëri nuk lejohej të funksiononte tregu i lirë privat, mbiprodhimin fshatarët duhej t’ua dorëzonin kooperativave, të cilat do ti shisnin ato në shtet bashkë me prodhimin e tyre. Udhëheqja e PPSH-së mendonte se masat e mësipërme do të çonin në lehtësimin e gjendjes së fshatarësisë, mirpo ato rezultuan të paefekshme, pasi nuk preknin thelbin e problemit, thelbin e rendit kooperativist, pronën shtetërore. Situata ekonomike jo vetëm që nuk u përmirësua, por u bë edhe më problematike.
Në këtë periudhë kemi edhe ndryshime në fushën e të drejtave të njeriut, e cila erdhi si pasojë e presionit ndërkombëtar. Në shtator të vitit 1986, me një dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor, u bënë ndryshime në aplikimin e masave administrative e penale. Në bazë të këtij dekreti do të reduktohej koha e internimit.
Edhe në politikën e jashte do të viheshin re disa ndryshime, ku po krijohej një klimë e re me vendet e tjera, ku nuk mund të lë pa përmëndur hedhjen e disa hapave për normalizimin e marrëdhënieve me Republikën Federale Gjermane. Kjo klimë e re midis dy vendeve bëri që më 19 maj 1986 të vinte në Shqipëri Franz Josef Straus, së bashku me Edmund Stoiberin. Gjermanët shfaqën propozimet e tyre për kreditim dhe projekte ekonomike afatshkurtra e afatgjata, në shuma të mëdha për Shqipërinë. Këto do të sillnin një zhvillim të shpejtë, por nuk u pranuan dhe u penguan nga udhëheqja komuniste. Gjatë vitit 1987 Shqipëria vendosi marrëdhënie diplomatike me Republikën Federale Gjermane, të cilën deri atëhere Enver Hoxha e kishte konsideruar si një vend fashist dhe e etiketonte si një rrezik për paqen në Europë. Hapa të tjerë u bëne për arritjen e një bashkëpunimi me vendet e rajonit, si me Greqinë Bullgarinë, me italinë etj. Në vitin 1984 kemi ardhjen e disa delegacioneve qeveritare greke në Shqipëri dhe një vit më pas kemi edhe hapjen e pikës kufitare të Kakavijës. Këto masa u bënë edhe nismë për qeverinë greke që në vitin 1987 të merrte nismën për abrogimin e ligjit të luftës. Qeveria shqiptare ndërmori hapa të tjerë, ku iu përgjigj pozitivisht nismës së Beogradit, për organizimin e mbledhjes së ministrave të jashtëm të vendeve të Ballkanit, nismë e cila u përgëzua edhe nga Bashkimi Evropian. Takimi i parë i tyre u zhvillua në Beograd në shkurt të vitit 1988. Kjo ndikoi në përmirësimin e klimës në Ballkan dhe në afrimin e vendeve të rajonit. Në këtë kohë kemi edhe shtimin e marrëdhënieve diplomatike e tregëtare me një numër vendesh si, Spanjën, Filipinen etj.
Këto hapa të qeverisë shqiptare për përmirësimin e gjendjes, çoi në shtensionimin e marrëdhënieve me vendet e tjera. Megjithatë pavarsisht këtyre tentativave pozitive ajo vazhdoi të mbetej një vend i izoluar, pa aleatë e pa mbështetjen e duhur ndërkombëtare. Shqipëria vazhdoi të mos ishte pjesë e organizmave të rëndësishë, evropianë e botërorë, me përjashtim të OKB-së.
Gjatë vitit 1988 kriza u thellua edhe më shumë dhe pasojat e saj u ndjenë në të gjithë vendin, sidomos në fushën ekonomike. Në treg mungonin produktet e domosdoshme. Vendet e Lindjes kishin bërë ndryshime drastike, ku ishin përmbysur regjimet totalitare dhe ishte vendosur pluralizmi politik. Të gjitha vendet e Evropës Qëndrore e Lindore, pa përjashtim, zgjeronin shpresën e tyre për të hyrë në lidhje të reja me Bashkësinë Evropiane, duke synuar një antarësim të plotë në të. Në skenën politike të këtyre vendeve kishin dalë organizata, parti politike opozitare me programe nga më të ndryshmet. Të gjithë njerëzit e zhgënjyer nga ai regjim, kishin arritur në përfundimin se ai duhej përmbysur, që vendit ti hapej rruga e progresit. Në periudhën e Gorbaçovit kemi edhe një përmirësim të mardhënieve me perëndimin. Bashkimi Sovjetik tashmë e kuptoi se politika e pushtimit, direkt apo indirekt, nuk ishte e përshtatshme. Pranimi i këtyre të vërtetave themelore solli tërheqjen e sovjetike nga Avganistani dhe akoma më e rëndësishme mosndërhyrjen në Europën Lindore, kur atje, më 1989 shpërtheu kriza. Udhëheqësit sovjetikë konfirmuan parimin e “zgjedhjes së lirë” dhe të “mosagresionit” edhe kur kjo do të thoshte, krijim i qeverive antikomuniste në Pragë, Varshavë, Budapest dhe në Berlinin Lindor.
Gjatë zgjedhjeve parlamentare të viteve 1989-1990 të zhvilluara në një numur vendesh ish-socialiste fituan forcat e reja politike. Në Poloni u zhvilluan zgjedhjet e para demokratike në gjithë Evropën lindore, pas katër dekadash në qershor të 1989, të cilat i fitoi Solidarnosti. Në Hungari zgjedhjet i fitoi “Forumi Demokratik”, në Republikën Demokratike Gjermane “Forumi i Ri”, në Çekosllovaki “Forumi Civil”, në Bullgari “Bashkimi i Forcave Demokratike”, ndërsa në Rumani pushtetin e mori “Fronti i Shpëtimit Kombëtar”. Këto forca që erdhën në fuqi të këtyre vendeve shkatëruan strukturat e vjetra politike dhe nisën reformat shoqërore dhe ekonomike, me qëllim që të hapej rruga e zhvillimit ekonomik dhe i ekonomisë së tregut të lirë. Proçeset demokratike që përfshinë vendet e Evropës Qëndrore dhe Lindore, në periudhën e viteve 1989-1991, do të sillnin një epokë ndryshimesh në këto vende. Në Ballkan situata ishte shumë më e vështirë se në vendet e tjera, pasi tani popujt e jugosllavisë donin rifillimin e “punëve të pambaruara”, të lëna pezull që nga Versaja. Në Ballkan, komunizmi kishte pasur rrënjë më të thella se në Evropën Qëndrore dhe kishte shkatërruar strukturat sociale e nacionale, që këtu kishin qënë më të dobëta se këto. Në këtë valë ndryshimesh disa vende, të cilat ishin nën Jugosllavi kërkonin formimin e shtetit të tyre të veçantë si, Sllovenia, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.
Këto zhvillime të vrullshme që prekën vendet ish-socialiste, patën ndikimin e tyre edhe në Shqipëri. Udhëheqja e PPSH i shikonte këto zhvillime që ndodhën në vendet e tjera si dështimin e sistemit të tyre për shkak se nuk kishin ndjekur doktrinën marksiste dhe zbatimi i politikave të tyre ishte antisocialiste. Ajo cilësonte si shkak të rëndësishëm për rënien e këtij sistemi edhe presionin e jashtëm, të cilin e konsideronte armiqësor. Udhëheqja e PPSH kishte akoma iluzione se do të vazhdonte të ndërtonte socializmin, me gjithë vështirësitë me të cilat po përballej.
Era e ndryshimeve që përshkoi vendet socialiste të Evropës Qëndrore e Juglindore, dukej sikur s’po arrinte në Shqipëri, për shkak të qëndrimit të prerë të Udhëheqjes Komuniste. Të paktën kështu mund t’i dukej çdo njeriu që shfletonte gazetat shqiptare të kohës. Pavarsisht qëndrimit të prerë të udhëheqjes së PPSH-së, ajo mori disa masa urgjente, të cilat më parë as që mund të mendoheshin. Këto masa erdhën edhe për shkak të kryengritjes antikomuniste të përgjakshme në Rumani kundë regjimit të Cauçeskut, e cila e detyroi Ramiz Alinë të ndërmerte disa reforma, në funksion të forcimit të regjimit dhe të përmirësimin e imazhit të tij, duke u përpjekur për të dhënë një impakt pozitiv. Në mbledhje, e Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH të zhvilluar në korrik të vitit 1989, Ramiz Alia shtroi detyrën e domosdoshme për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe afrimit të tij në përputhje me disa standarte europiane. Kjo nuk qe e rastësishme, pasi gjatë sistemit komunist drejtësia ishte një sistem i politizuar totalisht. Ky reformim erdhi edhe si pasojë presionit që bënte Evropa edhe institucionet ndërkombëtare. Në këtë mbledhje Byroja politike dha orientim që të bëheshin disa ndryshime të mundshme dhe të domosdoshme si, aplikimi i të drejtës së mbrojtjes për të pandehurit gjatë gjykimit, aplikimi i masës për lirimin me kusht etj. Në fillim të vitit 1990 në Pleniumin e IX të Komitetit Qëndror të PPSH, u miratuan një sërë masash për reformimin e sistemit politik, ku përfshihej ristrukturimi i Partisë së Punës, duke vënë fokusin tek përsosja e përzgjedhja e kuadrove, luftë kundër burokratizimit e “përsosja e demokracisë socialiste”. Ramiz Alia deklaronte para Komitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë se: “Në vendet e Lindjes, në Poloni, Hungari, Çekjosllovaki, RDGJ, Bullgari e Rumani, kanë ndodhur ndryshime të mëdha. Këto vende po nxiten nga vendet perëndimore, nën thirrjen për zgjedhje të lira e pluralizëm politik, për krijimin e sa më shumë partive e grupeve të ndryshme, ata kërkojnë të shkatërohet çdo gjë që ka të bëjë me socializmin”. Ai theksoi në këtë mbledhje se thirrjet për pluralizëm në këto momente ishin të tepruara, pasi pluralizmi do vinte shkallë-shkallë, pasi të ishte përftuar kultura demokratike në vend. Mbledhja vendosi edhe krijimin e Ministrisë së Drejtësisë. Gjithashtu pati ndryshime të disa neneve të kodit penal, siç ishin ato që parashikonin dënime për agjitacion e propagandë, për internimin, për veprimtaritë fetare etj. Këto reforma të PPSH nuk synonin ndryshimin e sistemit politik, por korrigjimin e politikave të ndjekura deri atëhere, me qëllim që sistemi të kishte më tepër efektshmëri dhe të ishte më i pranueshëm.
Këto reforma të bëra nga Ramiz Alia ishin të pamjaftueshme për t’u dhënë zgjidhje problemeve të shumta të brendshme dhe të jashtme që kishte vendi. Vendet perëndimore prisnin më shumë reforma dhe vazhdonin t’i bënin qeverisë presionin për reforma të mëtejshme.
Më 26 mars 1990 u zhvillua demonstrata antikomuniste e Kavajës, të cilat provuan edhe njëherë se ngjarjet në Lindje dhe gjëndja e rëndë ekonomike nuk mund të kalonin pa efekt në Shqipëri. Më 2 korrik regjimi komunist pësoi një tronditje tjetër të madhe në sytë e botës, kur rreth 500 qytetarë u dyndën në ambasadat e huaja të Francës, Italisë, RFGJ-së etj. Ngjarjen e ambasadave e paraprinë protestat masive të Kavajës, në të cilën u vra edhe Josif Buda, i cili është dëshmori i parë i protestave kundër sistemit komunist. Për këtë ngjarje e cila tronditi gjithë udhëheqjen e PPSH-së u mbajt një mbledhje dy ditore, ku u bënë disa ndryshime në qeveri dhe në Byronë Politike, prej së cilës u larguan nga radhët e saj të vjetërit konservatorë. Ajo që përbënte risi ishte se tani këto shkarkime nuk u shoqëruan me gjyqe, burgosje e pushkatime. Brenda disa muajve pas ngjarjeve të korrikut, Alia ndërmori një sërë reformash të tjera, të cilat kishin për qëllim të krijonin përshtypjen e demokratizimit të vendit dhe të liberalizimit të jetës politike, të cilat në vetvete synonin t’i lejonin PPSH-së të ruante monopolin e jetës politike. U lejua që “organizatat e masave”si, Fronti Demokratik, Bashkimi i Grave, Bashkimit i Rinisë, Bashkimeve Profesionale, Komitetit Kombëtar të Veteranëve, Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve etj., të cilat deri atëhere kontrolloheshin nga PPSH-ja , të paqisnin kandidatët e vet të pavarur për zgjedhjet e Kuvendit Popullor. Në nëntor të vitit 1990 Ramiz Alia shpalli shkëputjen e PPSH-së nga shteti. Këto masa të ndërmarra për demokratizimin e jetës duhet të gjenin pasqyrim edhe në kushtetutën e vendit, për të cilën u ngrit edhe një komision i posaçëm që do të shqyrtonte ndryshimet e Kushtetutës. Më 8 dhjetor 1990, në sheshin e qytet “Studentit”, shpërtheu protesta e studentëve, të cilët kërkonin përmirësimin e kushteve të jetesës në konvikte dhe zgjidhjen e disa problemeve emergjente, siç ishte mungesa e dritave, e ngrohjes etj., Kërkesat e studentëve sa vinin dhe bëheshin më konkrete dhe kuptohej qartazi që protesta s’bëhej vetëm për probleme ekonomike, por edhe politike. Ata kërkonin lejimin e pluralizmit politik në vend. Para se të hynte në dialog me studentë Ramiz Alia thirri një mbledhje të jashtëzakonshme të Pleniumit të Komitetit Qëndror, i cili u detyrua të përkrahte krijimin e organizatave politike të pavarura në përputhjet me ligjet në fuqi. Pas kësaj mbledhje, Presidenti Ramiz Alia priti një përfaqësi të studentëve të Universitetit të Tiranës, ku ju bënte të ditur se PPSH kishte hequr dorë nga roli i partisë-shtet dhe nga tani e tutje do të ishte e barabartë me subjektet e tjera politike që do të krijoheshin. Ky fakt u vërtetua edhe më 12 dhjetor kur Ramiz Alia iu drejtua popullit me një mesazh, ku vinte në dukje se shteti tashmë e kishte pranuar edhe zyrtarisht krijimin e partive politike, të cilat i konsideronte si faktorë të rëndësishëm që e futin vendin në një fazë të re të marrëdhënieve politike e sociale.
Ende pa marrë miratimin nga Ministria e Drejtësisë më 12 dhjetor të vitit 1990 u krijua Partia Demokratike Shqiptare, e cila ishte partia e parë e krijuar në vend. Në programin e saj parashikohej pluralizmi politik, thellimi i reformave drejt ekonomisë së tregut të lirë. Vendosje e bashkpunim i ngushtë me vendet e Evropës Perëndimore dhe SHBA dhe aderimin e vendit në organizmat ndërkombëtar, në Bashkimin Evropian (BE), në Këshillin e Evropës (KE) dhe në Aleancën e Antlantikut të Veriut (NATO). Përveç Partisë Demokratike në vend u formuan edhe një varg partish të tjera, si Partia Republikane, Partia Agrare, Partia Ekologjike, Partia e Unitetit Fetar etj. U formua gjithashtu edhe shoqata “Omonia”, e cila përfaqësonte minoritetin grek në Shqipëri. Pas krijimit të partive politike lindi nevoja për krijimin e organeve të shtypit. Organ i shtypit Partisë Demokratike ishte “Rilindja Demokratike” dhe i Partisë Republikane ishte “Republikani”. Në qershor të vitit 1991 PPSH do zhvillojë Kongresin e saj të 10-të e të fundit. Ky kongres vendosi fundin e veprimtarisë së PPSh dhe themelimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, si një parti e re, me program e me statut të ri, që u përshtateshin ndryshimeve të bëra në vend, me kalimin nga diktatura në demokraci.
Në këtë mënyrë u përmbys sistemi njëpartiak komunist, i cili qëndroi për 45 vjet, për ti lënë vendin rendit pluralist demokratik. “Revolucioni demokratik” që përmbysi diktaturën, i dha fund kësaj gjendjeje dhe hapi një faqe të re në historinë e Shqipërisë. Me vendosjene e rendit demokratik u krijuan kushtet që Shqipëria dhe shqiptarët t’u bashkohen familjes së popujve e kombeve të qytetruar të Evropës, ku mbi këtë bazë të sigurohej një zhvillim i gjithanshëm ekonomik, shoqëror e kulturor i vendit”.