Çelet edicioni i 8-të i ekspozitës “Duart e Arta”, Dorian Koçi: Piktorët e vegjël paraqiten me punë mjeshtërore

Të paktën 30 fëmijë që ushtrohen sistematikisht në gjininë e pikturës, kanë paraqitur 157 punime në të njëjtin panel. Ekspozita “Duart e Arta” çeli edicionin e saj të 8-të. Me rastin e 1 Qershorit, në bashkëpunim dhe me Muzeun Historik Kombëtar, kjo ekspozitë u hap për publikun pikërisht në hollin e këtij institucioni. Në fjalën e tij përshëndetëse me këtë rast, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, z.Dorian Koçi vlerësoi si “mjeshtërore” punimet e piktorëve të vegjël. “Hapja e kësaj ekspozite bëhet në një ditë të bekuar siç është 1 Qershori. Dhe është pikërisht kjo festë, kjo datë që bëhet pikëtakimi i të gjithëve ne, sepse kushdo prej nesh , të rritet në moshë dhe në anën profesionale gjithmonë ka në vetvete dhe një pjesë të të qenit fëmijë. Muzeu, me programet e tij edukative ka qenë dhe do të jetë përherë i hapur për evenimente të tilla që kanë të bëjnë me edukimin e fëmijëve”, tha më tej drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, z.Dorian Koçi.
Duket se edukimi përmes artit është një vlerë e çmuar nëse fëmijëve ua mësojmë që herët, në vogëlinë e tyre. Shoqërizimi, komunikimi me bashkëmoshatarët, interpretimi dhe loja fizike në një fushë të caktuar të artit, janë elementët bazë që përftohen nga ky rrugëtim. 30 fëmijë të grupmoshave të ndryshme, nga 8-16 vjeç në Tiranë, falë mësimdhënies së artistes Rivelina Boshnjaku, hartuese njëherësh e teksteve shkollore për Artin Figurativ, për të tetin vit radhazi kanë çelur ekspozitën e titulluar “Duart e Arta”. Duhet theksuar fakti se pedagogia në fjalë, bën me piktorët e vegjël, apo ata që aspirojnë një gjë të tillë, punë individuale, larg metodës së vjetër ku të gjithë pjesëmarrësit në seancë punojnë të njëjtin model.
Këtë edicion, “Duart e Arta” pranuan në ekspozitë edhe një tjetër bashkëpunim, atë të piktorëve të vegjël nga Vlora, të cilët janë udhëhequr nga artistja Bedrana Hitaj.
Pikturat, të realizuara me ngjyra, bojëra vaji, por edhe grafik, bardhezi, personifikonin secila, atë që çdo fëmijë kish zgjedhur të përfaqësonte veten e tij. Natyrisht që dalja në dritë për çdo fëmijë kërkon jo vetëm talent, por shumë mund e punë. E pra sot shumë prej tyre e shohin veten më të realizuar nëpërmjet këtyre pikturave. Artistët e vegjël në punimet e tyre, më së shumti evidentonin pasionin për natyrën, gjelbërimin, kafshët, personazhet e moshës nga librat e filmat, ajo që vërtetë ata dëshirojnë të prekin çdo ditë nga afër.
Për piktoren Rivelina Boshnjaku me përvojë 15-vjeçare në punën me fëmijë dhe grupe vulnerabël, si gra dhe minorenë në konflikt me ligjin, fëmijët me nevoja speciale dhe me njerëz të moshës së tretë, ky edicion i tetë i ekspozitës “Duart e Arta”, konsistonte në promovimin e aftësive artistike, duke i dhënë një rendësi të veçantë aplikimit të teknikave të ndryshme piktorike si një element i rëndësishëm dhe tepër individual për të shprehur botën e artistit. Dhe nuk mbaron me kaq. Rivelina Boshnjaku shprehet që sezoni i ri, i cili pritet të nisë në shtator, do të nxjerrë qershorin e vitit 2018 punime të tjera të piktorëve të vegjël.

18813503_1541054369290664_3888699586802785834_n 18835599_1541054372623997_4134168513005854145_n 18815158_1541054435957324_1200068841263131577_o

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *