“Bucharest Ladies Orchestra”, një spektakël muzikor përpara Muzeut Historik Kombëtar

Zëra të dimensioneve ndërkombëtare, soprano e tenorë të mirënjohur në skenat e teatrove botërorë të operistikës, por dhe një muzikë fort e zgjedhur, do të shpërndahej në eterin e sheshit “Skënderbej”. Në qendër të Tiranës, mbrëmjen e 19 korrikut u zhvillua një event i veçantë që do t’i jepte më shumë nota entuziaste jetës artistike në kryeqytet. Një orkestër vajzash, e drejtuar gjithashtu nga një femër, e njohur si e vetmja në llojin e vet, do të sillte repertorin më të mirë të saj për artdashësit shqiptarë. “Bucharest Ladies Orchestra” është nisur nga kryeqyteti rumun, me qëllim që të performojë jo vetëm në kryeqytetin shqiptar, por dhe në dy qytete të tjera, Berat dhe Korçë. Ndërsa iniciatore e të gjithë kësaj ndërmarrjeje ishte Arlinda Morava, sopranoja shqiptare që tanimë njihet si një prej zërave më premtues në botën e artit operistik. Koncerti në fjalë kishte dhe dashamirësinë në bashkëpunim të Bashkisë së Tiranës, ndërsa mikpritësi i eventit ishte Muzeu Historik Kombëtar, i cili përgatiti dhe të gjithë infrastrukturën për daljen sa më mirë të këtij spektakli.
“Bucharest Ladies Orchestra”, e dirigjuar nga Ozana Barabancea, me rreth 30 instrumentiste nga Bukureshti do të shoqëronte në këtë spektakël jo vetëm sopranon Morava, por dhe një tenor të spikatur rumun, e të afirmuar me një seri çmimesh ndërkombëtare, si Alfredo Pascu. Të ftuar të tjerë të mbrëmjes ishin dhe pianistja Klejda Tare e violinisti Lorenc Radovani.
I gjithë koncerti ishte konceptuar si një mbrëmje show, nën moderimin e Aurora Ymerit, ku veç operetave, nuk mungoi as muzikali, tangoja, valset, e preferuara të artistëve të mëdhenj, por dhe disa ritme xhazi.
“Bucharest Ladies Orchestra”, e cila njihet si e vetmja orkestër vajzash, ka në përbërje të saj instrumentiste me klas të lartë, të cilat janë shumë të preferuara kudo në Europë, për performancën dhe repertorin e saj.

20108131_1597697860292981_2810049818628982009_n 20246329_1597697876959646_9118309834401543675_n 20258071_1597697676959666_6229126015204580565_n 20246080_1597697920292975_5086592091867336839_n 20229362_1597697866959647_162176350133557749_n

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *