Punimet e 400 artistëve të akuarelit shqiptarë dhe të huaj u prezantuan për publikun në edicionin e Dytë të Bienales Ndërkombëtare të Akuarelit, ku për rreth një muaj do të shfaqen punimet origjinale të artistëve të njohur nga 60 vende të botës.
Ekspozita që u çel në Muzeun Historik Kombëtar, organizuar nga Shoqata Kulturore VIZart, IWS Albania, Ministria e Kulturës, Bashkia e Tiranës dhe Muzeu Historik Kombëtar, do të sjellë risi të reja dhe demostrime direkte të artistëve më të mirë të akuarelit në botë.
Kuratori ekspozitës, piktori i njohur Helidon Haliti, gjatë ceremonisë së hapjes të ekspozitës tha se: “Sot kemi sjellë mjeshtrat më të mëdhënj të akuarelit të botës. Ajo që unë e quaj vërtet risi janë demostrimet, të cilat do të jenë vërtet ekselente, ku piktorët që do të demostrojnë do ti kenë të gjitha dimesionet dhe e kalojmë mediumin e akuarelit në një narracion interaktiv”.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, u shpreh se: “Jemi këtu sot për Bienalen e Dytë të Akuarelit dhe në fakt jemi vetëm në fillim të vitit ku Tirana do të jetë kryefjala e artit dhe kulturës ndërkombëtare. Në fakt nuk jemi veçse në një prej stacioneve të rradhës të artit, ku dialogu midis artistëve është dialog kulturor dhe nuk është dialog me ngjyrën e paraportës”. Drejtori Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, në fjalën e tij përshëndetëse tha se, “Është një kënaqësi e veçantë për ne, si Muzeu Historik Kombëtar, që të presim dhe të jemi pjesë e kësaj ekspozite kaq të veçantë për të gjithë jetën kulturore të Tiranës për tu vendosur edhe një herë në hartën e të gjithë kryeqyteteve të tjera të botës që organizojnë aktivitete të tilla”.
Ceremoninë e hapjes e përshëndeti edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. “Mirënjohjen më të madhe e meriton Helidoni që na mbledh të gjithëve tek Bienalja e dytë dhe ka bërë një punë fantastike që ta kthejë Tiranën në një kryeqytet të artit botëror. Që nga hera e fundit që kemi patur bienalen në Tiranë shumë të rinj kanë gjetur pasionin e tyre. Shumë të rinj që frymëzohen nga puna juaj, aspirojnë t’ju imitojnë, ose që të bëhen sadopak nga ju”, tha Veliaj.
Bienalja është e përqendruar në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, por aktivitetet e saj do të mbahen edhe në Qendrën TEN, Qendrën Rinore, sallën COD në Kryeministri e më gjerë. Bienalja e akuarelit në Tiranë do të vijojë me pikturimet live nga data 12 deri më 22 mars.