Sot, më 10 korrik 2017, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar z. Dorian Koçi priti ambasadorin e jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të Japonisë në Shqipëri, Shkëlqesinë e Tij, z. Makoto Ito dhe bashkëshorten e tij Grace. Z. Dorian Koçi shprehu kënaqësinë e tij për këtë takim si dhe për hapjen e Ambasadës së Japonisë në Tiranë.
Z. Makoto Ito është ambasadori i parë rezident në Shqipëri, që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, më 10 mars 1981. Marrëdhëniet e Shqipërisë me Japoninë në fakt janë më të hershme dhe ishin shumë strategjike që në kohën e Mbretit Zog. Zanafilla e marrëdhënieve shqiptaro-japoneze daton që në etapat e para të shtetit shqiptar. Më 20 qershor 1930, Shqipëria dhe Japonia nënshkruan traktatin e miqësisë e tregtisë, i cili ka ngelur deri në ditët tona i paprekur. Marrëdhëniet e ngrohta do të konfirmoheshin edhe në vitin 1981, kur në Beograd, u konfirmua shprehja e interesit nga ana e Japonisë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Ambasadori Ito dhe bashkëshortja e tij, të shoqëruar nga Drejtori i Muzeut Kombëtar si dhe nga Përgjegjësi i Sektorit të Menaxhimit të Koleksioneve z. Ledio Xhoxhi, u njohën me historinë e popullit shqiptar duke u nisur nga pavijoni i antikitetit deri në periudhën e regjimit komunist. Ambasadori Ito pati një kënaqësi të vërtetë dhe u impresionua shumë nga Muzeu Historik Kombëtar. Gjithashtu falënderoi për mikpritjen e ngrohtë dhe premtoi se do të kthehet përsëri në muze.