Të vërtetat janë ende të kyçura. Përtej këtij slogani Dita Ndërkombëtare e Muzeve synoi të rrisë ndërgjegjësimin publik mbi rolin e muzeve në zhvillimin e shoqërisë. “Kur thua histori të pathëna mendohen vetëm historitë e komunizmit, apo historitë e kontestuara të luftës Antifashiste. Po në të vërtetë histori të kontestuara ka në arkeologji, në historinë e mesjetës, dhe mënyra se si mund të thuhen kërkon dhe pak guxim, pasi ne si muzeologë rritemi në këtë shoqëri dhe e kemi shumë të vështirë të jemi objektiv aq sa duhet”, shprehet Sabina Veseli nga ICOM Albania.
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve më 18 maj, u realizua një veprimtari e përbashkët midis ICOM Shqipëria, Muzeu Historik Kombëtar, Muzeu Arkeologjik dhe Qendra e Studimeve Albanologjike. Në sallën “Kostandin Shpataraku” të Muzeut Kombëtar u organizua tavolina e rrumbullakët me temë “Muzetë dhe historitë e kontestuara: të thuash të pathënën në muze”.
Muzetë rrëfejnë histori, por më shumë se ato që përcjellin përmes ekspozimeve, ka plot të pathëna. Historitë tabu janë një sfidë edhe për muzetë në botë, por në vendin tonë ekspertët pranojnë se e shkuara ka kyçur më shumë të vërteta, shumë më shumë se sa mund të zbulojnë muzetë tonë. Nxjerrja në dritë e historive të kontestuara padyshim nuk është detyrë vetëm e Muzeut Historik Kombëtar, ndaj nevoja për më shumë dyer muzealë është e pranishme edhe në të gjithë vendin ashtu si dhe në kryeqytet.
Në tryezën e rumbullakët me temë “Muzetë dhe historitë e kontestuara: të thuash të pathënën në muze”. referuan dhe Enriketa Papa nga fakulteti i Historisë, Ermela Broci nga Qendra e Studimeve Albanoliogjike, historiania Ledia Dushku dhe historiani Ledio Xhorxhi nga Muzeu Historik Kombëtar. Tryeza e organuizuar në Muzeun Historik Kombëtar solli në vëmendje edhe krijimin e një Muzeu Etnografik a Arkeologjik, por edhe sfida të tjera si vizitueshmëria e muzeve, kurimi dhe edukimi i shoqërisë me këtë temë që në bankat e shkollës.
