“Misionarë të kombit” i ka quajtur drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, z.Dorian Koçi, ata që kuadratojnë armatën e madhe të mësimdhënësve. Këtë cilësim ai e ka bërë gjatë aktivitetit: “Mësuesi im, modeli im”, të inicuar nga Drejtoria Arsimore e Kamzës, e cila u zhvillua në sallën UNESCO të Muzeut Kombëtar, një aktivitet që u bë i mundur dhe falë bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit, World Vision dhe vetë Muzeut Historik Kombëtar. Pas një pune disamujore, ku nxënësit votuan për mësuesit e tyre më të mirë, u dhanë dhe rezultatet përfundimtare. Të paktën 10 mësues të Drejtorisë Arsimore Kamëz, u vlerësuan me certifikata si “mësues model”. Certifikatat për mësuesit fitues i ndanë nga kryetarët e Qeverive të Nxënësve të çdo shkolle.
Në fjalën e tij të përshëndetjes, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, z.Dorian Koçi tha se janë pikërisht mësuesit njerëzit përparimtar e iluministë, të cilët përçojnë progresin te brezat që i takojnë së ardhmes e të cilët formohen nën kujdesin e tyre. “Arsimi është në evolucion të vazhdueshëm. Ndaj unë e përgëzoj këtë nismë, e cila sjell në vëmendje mësuesit, ata që lënë gjurmë në formimin e nxënësve. Por arsimtarët, këta “heronj të heshtur” të shoqërisë shqiptare, të cilët krijojnë vizionin dhe hapin horizontin e fëmijëve, duhet të jenë edhe në vëmendje të të gjithë shoqërisë”, tha mes të tjerash në fjalën e tij përshëndetëse drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, z.Dorian Koçi.
Gjithashtu aktivitetin e përshëndeti dhe znj.Ermioni Cekani, drejtoresha e Zyrës Arsimore Kamëz, e cila gjithashtu falenderoi punën e palodhur të mësuesve në edukimin e brezit të ri, të cilët po sipas saj: “kanë shërbyer si model për nxënësit e një zone me diversitete kulturore”.
Mësuesit nga ana e tyre, u shprehën se ndiheshin të obliguar, që mes shumë e shumë të tjerësh, nxënësit kishin përzgjedhur ata si modelin e tyre.
Më pas për të pranishmit e shumtë në sallë u dha dhe një koncert festiv përgatitur nga nxënësit e shkollave të Drejtorisë Arsimore të Kamzës.