Pas hapjes së ekspozitës “Miss Mary Edith Durham”, me rastin e 75-vjetorit të vdekjes së “Mbretëreshës së Maleve” Mary Edith Durham (1863-1944), me fotografi dhe skica të realizuara nga Edith Durhami gjatë udhëtimeve nëpër viset shqiptare, u zhvillua konferenca shkencore me pjesëmarrjen e studiuesve të fushave të ndryshme, të cilët me kumtesat e tyre sollën prurje të reja në lidhje me mbresat e udhëtimeve të Edith Durhamit në trojet shqiptare.
Konferencën “Miss Mary Edith Durham” e hapën Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, dhe Zv.Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, z. Robert Wilton.
Në fjalën e tij përshëndetëse Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, u shpreh se: “Konferenca i bashkangjitet ekspozitës “Miss Mary Edith Durham” me rastin e 75-vjetorit të vdekjes. Kjo konferencë synon të sjellë në memorien tonë kontributin e çmuar të Mary Edith Durham për Shqipërinë dhe shqiptarët”.
Në fjalën e tij përshëndetëse Zv.Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, z. Robert Wilton, u shpreh: “Përshëndetje të gjithëve, është kënaqësi të jem këtu së bashku me ju në këtë konferencë shkencore, për një emër shumë të nderuar dhe të dashur në Shqipëri, siç është Mary Edith Durham. Gëzohem çdo herë që jam pjesë e konferencave të tilla me karakter serioz profesional dhe historik, ju falenderoj për nderin dhe ftesën që jam pjesë në këtë konferencë”.
Në këtë konferencë u trajtuan tema të ndryshme dhe referuan:
➡️ Shkrimtarja Elizabeth Gowing me temë “Papuçet që kanë ecur jashtë: artefakte të mbledhura nga Edith Durham në muzetë e Anglisë”,
➡️ Dr. Tatjana Haxhimihali me temë “Miss Mary Edith Durham në korrespondencën e saj me Mr. Joseph Swire (1928-1929/31)”,
➡️ Dr. Shpend Bengu me temë “Komunikimi pamor ndër shqiptarët, në dëshmitë e Miss Mary Edith Durham”,
➡️ Dr. Dorian Koçi me temë “Antropologji dhe udhëtime: Shqipëria e Edith Durhamit”,
➡️ Zv.Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, z.Robert Wilton me temë “Edith Durham dhe qëndrimet Britanike ndaj Shqipërisë”,
➡️ Prof.Ass.Dr.Frederik Stamati me temë “Dy çentro nga Edith Durham”,
➡️ Prof.Ass.Dr.Bernard Zotaj me temë “Edith Durham për luftëtarët shqiptarë”,
➡️ Z. Andrea Llukani me temë “Kristianizmi dhe uniatizmi i shpatarakëve, sipas Edith Durhamit”,
➡️ Studiuesi Mehmet Gëzhilli me temë “Një vështrim bibliografik mbi jetën dhe veprën e Edith Durhamit”,
➡️ Studiuesi Kastriot Frashëri me temë “Bibliografi për Edith Durhamin”.