Nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri” folën mbi ngjarjet që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë Luftës II Botërore, të studiuara nga historiani Bernd Fisher, të sjella me fakte reale dhe konkrete. Gjimnazistët u ndalën në momentet kyçe të pushtimit fashist, zbarkimin e trupave fashiste në territorin e Shqipërisë, aleancat, ngritjen dhe vendosjen e institucioneve fashiste si dhe kapitullimin e vetë fashizmit. Ata vijuan me vendosjen e nazizmit, pasojat, agresioni, dhuna, pa harruar qëndresën e fortë për mbrojtjen e qytetit të Tiranës, të shkëputura këto me foto dhe pamje të vërteta gjatë periudhës së luftës. Aktiviteti u mbyll me një ekspozitë me punime të krijuara nga nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”, ku prezantohej Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e parë nga këndvështrimi i vetë nxënësve, si: piktura me partizanë, momente të Shqipërisë gjatë LANÇ-it, elemente të mbrojtjes dhe qëndresës së shqiptarëve ndaj këtyre pushtimeve nëpërmjet batalioneve etj.
Drejtoresha e gjimnazit, znj. Teuta Dobi, falenderoi dhe vlerësoi nxënësit referues për punën dhe përkushtimin e tyre në studimin e periudhës së Luftës së Dytë Botërore.
Znj. Sonjela Babaliu, specialiste pranë Muzeut Historik Kombëtar, falenderoi pjesëmarrësit në emër të drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi. Midis të tjerash, theksoi urën e bashkëpunimit midis dy institucioneve, duke falenderuar nxënësit për larminë e materialeve dhe për punën e tyre serioze.