Ekspozita “Në udhëtim me Edward Lear në Shqipëri” sjell punime të piktorëve shqiptarë të peizazhit që udhëtuan në gjurmët e Edward Lear nëpër Shqipëri, të cilët hodhën në telajo peizazhet e ditëve tona. Pikturat e tij paraqesin pamje nga vendi ynë, si edhe veshje tradicionale të popullsisë vendase në mesin e shekullit XIX.
I pranishëm në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite ishte Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, z. Blendi Klosi, i cili u shpreh: “Kjo është një ide gjeniale në krijimin e këtij itinerari turistik për vendet ku ka udhëtuar Edward Lear, kjo ekspozitë na ndihmon në evidentimin e peizazheve të vendit tonë, për të dhënë idenë sesi ka qënë dhe sesi është trasformuar realiteti shqiptar në ditët e sotme dhe sesa bukur kanë ardhur”.
Në fjalën e tij përshëndetëse Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, u shpreh se: “Të nderuar miq e dashamirës është kënaqësi për ne ku do kemi mundësinë të shohim e vizitojmë bukuritë e fshehura të vendit tonë, përmes peizazheve të cilat na kanë dhënë një qasje akoma dhe më të qartë”.
Piktori Kujtim Buzi tha se: “Kjo ekspozitë do të mbahet mend për vlerat e saj kulturore dhe historike, Edward Lear pushtoj vendin tonë me penën e tij duke pushtuar zemrat dhe mëndjet e intelektualëve dhe artistëve shqiptarë”.
Ky aktivitet është një organizim i Institutit të Librit dhe të Promocionit, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit si dhe të Muzeut Historik Kombëtar.