Në këtë aktivitet, ku morrën pjesë shkrimtarë dhe artistë të ndryshëm e dashamirës te librit, u promovua dhe libri i fundit i autorit me titull ‘’Frika që ndjell fjala’’. Ky libër poetik vjen 15 vite pas botimit të librit të tij të fundit ‘’Në zemër bie shi’’ në vitin 2003. Në këtë vëllim me poezi autori ka sjellë një pjesë të krijimtarisë së tij më të zgjedhur ndër vite, poezi të zgjedhura prej librave të tij të mëparshëm, si dhe dëshminë e rreth katër dekadash krijimtari në fushën e poezisë.
Në fjalën e tij në këtë aktivitet Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, pasi falenderoi të pranishmit në emër të institucionit, u ndal në kontributin e veçantë të autorit në rrafshin e krijimit artistiko-letrar dhe në kontributin e tij të çmuar në zhvillimin e poezisë shqiptare. Ai shprehu kënaqësinë që ky botim vjen dhe përkon edhe me muajin e leximit ‘’Tetori i librit’’ si program artistiko-kulturor i shpallur nga Ministria e Kulturës.