Sot, qendra DMO ALBANIA organizoi, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Bashkinë e Tiranës dhe Muzeun Historik Kombëtar ekspozitën fotografike: “Trashëgimia natyrore dhe kulturore e Shqipërisë.”
Ky projekt i DMO ALBANIA synon të promovojë Shqipërinë, dhe të edukojë rininë me artin e bukur të fotografisë. Në këtë mbrëmje u shfaqën rreth 100 foto të përzgjedhura të konkursit fotografik të hapur për 3 muaj rresht (maj-qershor 2019).
Ky aktivitet përvec faktit që ndihmon në promovimin e vendit tonë, gjithashtu inkurajon dhe motivon të rinjtë që ta duan vendin e tyre dhe mbi të gjitha, ta promovojnë atë. Ndër vite ky ka qenë dhe është edhe qëllimi kryesor i Muzeut Historik Kombëtar të promovojë vlerat historike dhe kulturore të Shqipërisë.
Ky është edicioni i dytë dhe do të jetë i pranishëm për vizitorin deri në datën 15 tetor.
Organizatorja e këtij aktiviteti, znj. Eva Kushova mbajti fjalën e hapjes duke thënë se: risia e këtij festivali është që çdo person mund të jetë pjesëmarrës. Grupi i fotografëve përzgjodhi me kujdes këto 100 fotografi që po ekspozohen sot. Falenderoj përzemërsisht Bashkinë e Tiranës, Ministrinë e Kulturës dhe Muzeun Historik Kombëtar për mbështetjen e tyre.
Andi Seferi, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, përshëndeti hapjen e këtij festivali fotografik. Jam i gëzuar, tha ai, për këtë pjesëmarrje masive dhe për rritjen e cilësisë së fotove gjatë këtyre dy sezoneve. Kjo bën të mundur promovimin e Tiranës dhe Shqipërisë në mënyrë akoma më dinjitoze dhe profesionale.
Dr. Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, tha që eshte kënaqësi e veçantë që për herë të dytë mbahet ky aktivitet në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Të fotografosh domethënë të ngrish një moment, një çast në këtë realitet ku ne jetojmë. Ju uroj suksese të mëtejshme më këtë rrugëtim promovues dhe artistik.