Delegacioni zyrtar nga Komisioni për Turizmin dhe Trashëgimisë Kombëtare të Arabisë Saudite, i kryesuar nga z. Ahmad Al-Khateeb, i shoqëruar dhe nga znj. Entela Çipa, Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Kulturës, ndaloi për një vizitë në një nga destinacionet turistike të kryeqytetit. Bëhet fjalë për institucion më të madh muzeor në vend, për Muzeun Historik Kombëtar, i cili prezanton në mënyrë shkencore gjithë historinë e popullit shqiptar.
Gjatë rrugëtimit në historinë e shqiptarëve, Dr. Khateeb u njoh nga afër me mënyrën e jetesës së popullit tonë ndër shekuj, me veglat e punës, veshjet e ndryshme, traditat, ritet e zakonet. Delegacioni pati mundësi të shihte nga afër ndikimet e kulturave të popujve të tjerë në kulturën tonë, kjo e pasqyruar në skulptura e mozaikë. Dr. Khateeb u njoh nga afër me jetën dhe veprën e Heroit tonë Kombëtar, i befasuar nga vuajtjet e popullit shqiptar ndër vite, duke vlerësuar për mjeshtërinë e zejtarëve shqiptarë në punimet e drurit dhe të argjendit, si dhe pasuritë e unike të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve, pjesë e fondit të Muzeut Historik Kombëtar.