Atelietë e restaurimit të ofruara nga Qendra Rajonale për Konservim dhe Restaurim pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës janë mundësi për shkëmbim përvoje ndërmjet institucioneve analoge ndërkombëtare dhe specialistëve të fushës së trashëgimisë kulturore. Përfaqësues nga shkolla e Galicia-s për Konservim në Pontevedra, Spanjë që do të jenë pjesë e Ateliesë 2019 për konservimin e pikturës murale patën mundësinë të zhvillonin një takim me drejtorin e Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, si edhe të zhvillonin një vizitë në pavijonet e muzeut duke u njohur me historinë e vendit tonë nëpërmjet objekteve të ekspozuara në Muzeun Historik Kombëtar.
Çelja zyrare e Ateliesë së restaurimit me temë “Konservim pikture murale në Qendrën Historike Berat (Pasuri Botërore)- “Konservimi i Pikturës murale në Kishën e Shën Konstandinit dhe Helenës, Berat, Shqipëri” do të jetë në datën 24 Qershor dhe do të vazhdojë deri më 5 Korrik 2019.
Pjesëmarrja e stafit akademik dhe studentëve të masterit të kësaj shkolle në Atelienë e Restaurimit Berat 2019 mundësohet nëpërmjet partneritetit të Instituti i Monumenteve të Kulturës me këtë shkollë në kuadër të programit Erasmus+.