Sot, në kuadër të “Ditës Botërore të Divesitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim”, Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar organizoi tryezën e diskutimit me temë “Trashëgimia Kulturore Jomateriale dhe Diversitetit: Festivalet Folklorike mes ruajtjes së kujtesës dhe pasqyrimit të praktikave kulturore të gjalla”.
Kjo tryezë diskutimi u nda në tre panele: Festivalet folklorike dhe diversiteti kulturor; Trashëgimia Kulturore Jomateriale në Shqipëri dhe Festivalet, kujtesa dhe praktikat e gjalla.
Qëllimi i kësaj tryeze ishte diskutimi i disa prej çështjeve dhe problemeve që lidhen me Trashëgiminë Kulturore Jomateriale. U diskutua kujtesa mbi folklorin në të shkuarën dhe pasqyrimi i folklorit që lëvrohet sot. Një pjesë e këtyre problematikave do të trajtohen nga zhvillimii folklorit sot përmes shoqatave kulturore artistike.
Një pjesë e këtyre shoqatave kanë nisur të ecin në hap me ndryshimet demografike në vend dhe lëvrojnë jo vetëm në folklorin e krahinës së origjinës, por edhe në zona të tjera të vendit. Kjo çon ridimensionimin e konceptit të folklorit burimor si përfaqësues vetëm të një krahine të caktuar. Pra, diversiteti kulturor po bëhet bazë e zhvillimit të folklorit tonë kombëtar.
Fjalën e hapjes e mbajti Dr. Armanda Hysa, Drejtoreshë e QKVF, si dhe Dr. Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar.
Tre panelet përkatëse u drejtuan nga akademiku Vaso Tole, Bendis Pustina dhe Dr. Meri Kumbe. Kumtuan gjithashtu Saimir Skënduli, Marinko Çulafiç, Nikolla Gjurgjaj, Rezarta Delisula, Dr. Dorian Koçi, Dr. Armanda Hysa dhe Jonida Çunga.
Temat që u prekën në këtë tryezë diskutimi ishin: Konventa e Trashëgimisë Kulturore Jomaeriale dhe Diversiteti kulturor; Pasqyrimi i vlerave folklorike të minoriteteve në festivalet folklorike; Trashëgimia e minoritetit malazez në Shqipëri; Mbi folklorin e minoritetit maqedon në Shqipëri; Trashëgimia Kulturore Jomateriale, folklori dhe teknologjia; Pasqyrimi i Trashëgimisë Kulturore në media; FFKGJ si “praktikë e mirë” dhe traditë në UNESCO; Muzeu i Isopolifonisë; Festivalet folklorike: mes muzeifikimit dhe realitetit; Mbi ritualet në festivalet folklorike.