Muzeu Historik Kombëtar, më datë 20 maj 2019, ora 17.00, organizon veprimtarinë “Një pasdite në muze” me temë: “Ernest Koliqi dhe kontributi i tij në pasurinë gjuhësore shqiptare”. Këto takime periodike bëhen me qëllimin për të sensibilizuar shoqërinë shqiptare mbi çështje të ndryshme të historisë, kulturës dhe trashëgimisë kombëtare shqiptare. Gjithashtu, veprimtaria “Një pasdite në muze” ka për qëllim ngjizjen e një debati profesional në disiplina të ndryshme.
Për të referuar për këtë temë do të jenë të pranishëm Prof.As.Dr. Idriz Metani, pedagog në Departamentin Gjuhës Shqipe pranë Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, Universiteti i Tiranës dhe Dr. Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar.
Ernest Koliqi është figurë poliedrike, me kontribute të shumanshme, një nga personalitetet e spikatur të kulturës shqiptare në shek. XX. Në thelb të të gjithë aksionit të tij qëndron synimi për modernizimin e botës shqiptare mbi bazën e ruajtjes së traditave shekullore e të veçantive më të mira etnike.
Muzeu Historik Kombëtar organizon këtë takim shkencor-social me një natyrë periodike, për të përkujtuar figura të shquara të historisë dhe të letërsisë shqiptare, ballkanike dhe europiane që kanë shkruar dhe kanë kontribuar për evidentimin e vlerave kulturore. Në këtë veprimtari do jenë të pranishëm dhe të ftuar, akademikë, studiues e miq, studentë dhe dashamirës të fushave të ndryshme.
Veprimtaria do të zhvillohet ditën e hënë, ora 17.00, pranë sallës së bibliotekës të Muzeut Historik Kombëtar.
Ju mirëpresim!