Këtë cikël leksionesh e organizojmë në bashkëpunim me Universitetin e Nju Jorkut Tiranë dhe Akademinë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave. Prof. Fatos Tarifa, një ndër personalitetet më të njohura të shkencës në vendin tonë, ishte lektori i parë i kësaj rubrike.
Tema për të cilën Prof. Tarifa referoi dje, përapara një publiku të gjerë dhe emrave të njohur të diplomacisë shqiptare, titullohej: “Ndryshimet demografike globale dhe ndikimi i tyre ne gjeopolitiken auroziatike”. Ndryshimet demografike dhe gjeo-ekonomia po sjellin ndryshime të thella në rolin dhe ndikimin e fuqive të mëdha në botën e sotme. Duket se rëndësia e fuqisë ushtarake po ia lë vendin fuqisë gjeo-ekonomike, pra politikës përmes instrumenteve gjeo-ekonomike. Kina, Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian duket se janë aktorët kryesorë gjeoekonomikë në kohën tonë. Prezantimi i Prof. Tarifës u përqëndrua në rajonin e gjerë të Euroazisë. Ai trajton rolin në rënie të Europës, si dhe mundësinë e krijimit të një rendi të ri botëror që do të përcaktohet nga e ardhmja e marrëdhënieve mes dy fuqive të mëdha aziatike: Kinës dhe Rusisë. Prof. Tarifa solli të dhëna të reja, si dhe argumente interesantë që vënë në punë intelektin dhe imagjinatën tonë.