“Edukimi përmes kulturës” shkon edhe në ambientet e shkollave. Muzeu Historik Kombëtar shkoi sot, në shkollën 9-vjeçare “Misto Mame” në Tiranë, për të zhvilluar aktivitetin “Muzeu im”. Nxënësit kishin sjellë nga shtëpitë e tyre objekte të vjetra, që në kalimin e viteve dashur padashur kanë marrë dhe vlera muzeale. Një lugë bakri, një radio e vjetër dhe një bucel druri me punim dore. Nxënësit ishin impenjuar për të nxjerrë nga errësira, ku mbaheshin të fshehura prej vitesh objekte që dikur ishin përdorur nga gjyshet apo gjyshërit e tyre. Gjithashtu, fëmijët treguan edhe histori për objekte që ruanin në shtëpitë e tyre por që nuk mund ti sillnin për arsye përmasash si qilima, vegla muzikore etj. Eksperienca e nxënësve për risjelljen në vëmendje të objekteve të vjetra e që marrin vlera muzeale vjen si vazhdimësi e projektit “Muzeu im’’, inicuar nga Sektori i Programeve Edukative në Muzeun Historik Kombëtar. Në këtë projekt çdo qytetar mund të ekspozojë objekte të vjetra të trashëguara nga të parët e tyre. Ky projekt ka për qëllim që edhe qytetarët të jenë më afër muzeut dhe muzeu të jetë më afër shkollave duke sjellë sendet e tyre të vjetra.