Gjergj Kastrioti, i mbiquajtur Aleksandër apo përndryshe Iskënder, me një diplomaci fine, dhe pse në dorë mbante një shpatë të rëndë, u tregoi shqiptarëve se porta që na lidhte me botën e madhe nuk kalonte aspak nga Dardanelet, por pikërisht mespërmes Adriatikut. Patricia Nugee, një britanike e fisshme, ka marrë përsipër gjithashtu një mision të rëndësishëm mbi shpatulla; të mbledhë vazhdimisht, pa u lodhur dhe pa u mërzitur kurrë, gjithçka është thënë e shkruar për atë që dhe ajo e shpreh me shumë dashuri: Heroin Kombëtar të Shqiptarëve.
Kjo sinergji na ka dhënë një pasqyrim interesant të fakteve të njohura e të panjohura më parë se kaq. Prandaj mund të themi me plot gojën se ajo çka gjendet brenda disa vitrinave hermetike, që mund të shihet vetëm mbi xhamat optik, e që kanë të bëjnë me dokumente të rrallë e të pakontestueshëm,është një thesar për historiografinë shqiptare.
Ekspozita “Jehona përmes shekujve-Gjergj Kastrioti Skënderbeu” përbëhet nga 37 libra unikë, të cilat janë pjesë e koleksionit të Patricia Nugee, kësaj gruaje që vjen nga Anglia e largët, dhe që është fort e dashuruar me Shqipërinë dhe historinë e saj. Në fakt, koleksioni në fjalë i Patricia Nugee, me libra të vjetër dhe të rrallë, është më i gjerë se kaq. Nugee njihet për pasionin e madh dhe koleksionin më të pasur, me më shumë se 500 ekzemplarë, kushtuar heroit tonë kombëtar të shkruar në rrjedhën e shekujve. Madje për këtë punë ajo është vlerësuar edhe me mirënjohje edhe nga ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu.
Koleksioni i Patricia Nugee ka qenë prezente edhe më parë për shqiptarët. Një pjesë e rëndësishme nga puna e saj 35 vjeçare për të koleksionuar çdo libër që ka të bëjë me heroin tonë kombëtar, tanimë është e pasqyruar edhe në një ekspozitë e cila u çel në hollin qendror të Muzeut Historik Kombëtar.
Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast foli Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, i cili mes të tjerash në fjalën e tij të përshëndetjes tha: “Epoka e Skënderbeut, vitet në të cilat ai luftoi për të ndalur invazionin osman drejt perëndimit të Evropës, janë dhe vitet më të rëndësishëm e më pro-evropiane të Shqipërisë. Sepse Gjergj Kastrioti, veçse një ushtarak e strateg i zoti ishte dhe një politikan e diplomat i shquar i cili vendosi lidhje dhe marrëdhënie bashkëpunimin me fuqitë më të mëdha evropiane të kohës. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese shqiptare, që udhëhoqi me vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane. Bashkimi shpirtëror i të gjithë popullit shqiptar dhe forcimi i vetëdijes kombëtare të tij, shënonin fitoren më të madhe të epopesë së lavdishme të shek. XV dhe të tërë veprës së tij”.
Më pas, për të pranishmit e shumtë që merrnin pjesë në ceremoni, përshëndeti edhe znj. Patricia Nugee-, e cila vlerësoi lart figurën e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve. Ajo gjithashtu u shpreh se do të vazhdonte ta pasuronte koleksionin e saj të rrallë rreth figurës së Gjergj Kastriotit. Znj.Patricia Nugee falënderoi drejtorin e Muzeut Historik Kombëtar për organizimin e kësaj ekspozite.
Më parë se kaq, në datën 17 janar, që është dhe dita e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Muzeu Historik Kombëtar çeli siparin e veprimtarive kushtuar Vitit të Skënderbeut me ekspozita “Motit të Madh”. Në këtë ekspozitë u pasqyruan çastet më të rëndësishme të qëndresës 25 vjeçare të Heroit tonë Kombëtar, ku pjesë e imazhit ishin dokumentacione të hershme, gravura si dhe projeksionet artistike me dokumentarë dhe fragmente nga filmi i Skënderbeut. Kjo sepse një numër shumë i madh autorësh, të epokave të ndryshme historike dhe rrymave të ndryshme letrare, i janë përqasur kësaj figure duke krijuar një mori veprash të gjinive dhe lloje të ndryshme letrare.
Ekspozita mbi figurën e Heroit Kombëtar, i cili ka tërhequr vëmendjen e historianëve, por edhe të shkrimtarëve evropianë përgjatë shekujve, u çel jo vetëm në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeu, por dhe të “Javës së Europës”.

32162161_1946004405462323_6165370801164910592_o 32073613_1946004338795663_8816904896126124032_n 32089838_1946004218795675_5329145165464469504_n 32154931_1946006125462151_8880388296627191808_o 32105171_1946003988795698_1027163938761998336_n 32087313_1946004845462279_5765246339289972736_o 32072874_1946004448795652_8078258447784607744_n

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *