Muzeu Historik Kombëtar organizoi veprimtarinë “Një pasdite në muze” me temë: “Voskopoja”.

Referuan rreth kësaj teme Dr. Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar dhe Vojsava Kumbulla, Drejtoresha e shkollës së mesme “Isa Boletini” në Vorë.
Voskopoja është një prej fshatrave, ku kultura, tradita dhe peizazhi unifikohen në mënyrë harmonike për t’i dhënë asaj vlera turistike të përhershme. Fshati është i njohur për qytetërimin e tij shumëshekullor, peizazhin mahnitës, kishat dhe afresket e shumta, të cilat bartin në vetvete një trashëgimi të çmuar kulturore. Pikërisht këto vlera artistike dhe arkitektonike të servirura në kishat e shumta të fshatit janë të pasura me imazhe të pikturave murale e ikonave, që shpalosin para turistëve fshatin, i cili dikur qëndronte në listën e qyteteve më të rëndësishme të Ballkanit.
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, referoi temën “Thesare kulturore nga Voskopoja në Muzeun Historik Kombëtar”, ku trajtoi disa objekte të artit postbizantin nga Voskopoja. “Në fondin e Muzeut Historik Kombëtar gjenden katër ikona, dy prej të cilave kanë autorësinë e Kostandin Joeromonakut dhe dy të tjerat të David Selenicasit. Ikonografi Kostandin Jeromonaku ka pikturuar ikonat “Ngritja e Kryqit” dhe “Takimi i apostujve”, të cilat i përkasin kishës së Shën Mërisë në Voskopojë. Ndërsa David Selenica ka pikturuar ikonat “Hyrja e Shën Mërisë në tempull” dhe “Shpërfytyrimi”, që i përkasin kishës së Shën Kollit në Voskopojë. Gjithashtu në pavijonin e ikonave pasbizantine të Muzeut Historik Kombëtar është edhe një ikonë me autorësi anonime, “Katër Ungjillorët”, me numër inventari 3654, e cila i përket manastirit të Shën Prodhromit në Voskopojë. Në fondin e Muzeut Historik Kombëtar gjenden mjaft objekte të punuara me ar dhe argjend: mbulesa ikonash, brerore, kapakë ungjijsh, potirë, lugë kungimi, kryqe, eksapterë, temjanica, kuti lipsanesh, etj. Teknika e punimit të arit dhe argjendit ka qenë pjesë e pandarë e kulturës dhe e traditës sonë kombëtare. Objektet janë punuar me teknikat e rrahjes e të gdhendjes, si edhe me përdorimin e mjaft veglave që krijoheshin nga vetë zejtarët për zbukurimin e objekteve. Në objektet e ekspozuara duket shija e hollë dhe mjeshtëria e lartë e argjendarëve, të cilët kanë realizuar kompozime të stolisura me elementë të shumtë dekorativë. Gjatë punës hulumtuese për katalogimin dhe iventarizimin e objekteve, që gjenden në fondet e Muzeut Historik Kombëtar, kemi arritur të evidentojmë një kryq prej argjendi, që i përket kishës së Shën Mërisë, në Elbasan. Kryqi prej argjendi në të dy anët paraqet skena ikonografike, të cilat janë gdhendur me finesë nga Janko Voskopojari në vitin 1748”, tha Dr. Dorian Koçi. Në fjalën e saj znj. Vojsava Kumbulla, e cila referoi temën “Voskopoja e Qëmoçme nga Ilo Mitkë Qafzezi”, tha se historia e këtij qyteti përpara vitit 1300 është e panjohur. Dokumenti më i rëndësishëm që sjell fakte rreth kohës së themelimit dhe historikut të saj, është dokumenti që sjell Hahn. Sipas Hahn, “Voskopoja u ndërtua në vitin 1338”. Voskopoja u ndërtua pas përfundimit të kryqëzatave, të cilat sollën shkatërrimin e mjaft qyteteve dhe Voskopoja zuri vendin e ndonjërit prej këtyre qyteteve të shkatërruara. Ngritjen e këtij qyteti Hahn ia atribuon mbretit Pjetër, i cili i përkiste familjes së madhe të Muzakajve. “Lind pyetja: Nga e mori këtë zhvillim qyteti i Voskopojës, ndërkohë që deri në shek. XVI ajo ishte një vend blegtoral? Kjo ndoshta shpjegohet edhe me fatin e tyre. Populli thotë që fati i buzëqesh guximtarit, e historia e fatit të tyre fillon kur turqit sulmuan Kostandinopojën ose Stambollin. Në Stamboll asaj kohe tregtarët e shquar gjenovezë u ndien të kërcënuar nga turqit, dhe filluan të largohen prej andej duke u vendosur në Voskopojë duke sjellë me vete edhe artin e tyre të tregtisë dhe si rrjedhim voskopojarët më pas e bënë zanatin e tregtisë, pajë të tyre. Nga ana tjetër ajo ishte një vend i përshtatshëm për tregti, pasi ndodhej midis Shqipërisë, Epirit, Maqedonisë, dhe afër rrugës Egnantia.
Ky qytet shfaqte një pamje fisnikërie që në hyrje të tij, dhe kjo jo vetëm nga arkitektura e përdorur nëpër ndërtesa, por dhe nga një tabelë të cilën ata kishin vendosur në hyrje të qytetit ku ishin vendosur banorët më përparimtarë dhe që kishin kontribuar për zhvillimin e qytetit. Këto ishin shprehje të një fisnikërie zakonesh, aristokraci dhe qytetërimi”, përfundoi znj. Kumbulla.
Këto takime periodike nga Muzeu Historik Kombëtar bëhen me qëllimin për të sensibilizuar shoqërinë shqiptare mbi çështje të ndryshme të historisë, kulturës dhe trashëgimisë kombëtare shqiptare. Gjithashtu, veprimtaria “Një pasdite në muze” arriti krijimin e një debati profesional, ku nuk munguan pyetjet mjaft interesante nga nxënësit e pranishëm.

29314524_1882368691825895_649361414061817856_o 29216859_1882368525159245_7977538123208851456_n 29213868_1882368175159280_3616827054139375616_o 29340492_1882368055159292_1169774990636089344_n 29243819_1882368001825964_428455221505556480_o 29261275_1882367851825979_6042684798361665536_o

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *