Në kuadër të programit #EdukimipërmesKulturës dhe #VititMbarëkombëtariGjergjKastriotiSkënderbeut #MuzeuHistorikKombëtar dhe shkolla jopublike “Faik Konica” organizuan një aktivitet në kuadër të 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut.
Programi festiv mbajti titullin “Jemi bijtë e Kastriotit” në të cilin morrën pjesë nxënës të shkollës me numra të shumtë përshëndetës, valle, poezi dhe inskenime të ndryshme. Aktiviteti u hap me një material të shkurtër informues për figurën e Skënderbeut. Më pas vijoi me interpretimin nga një nxënës i poezisë “Flamuri” të Faik Konicës. Programi vazhdoi me kolazh me këngë patriotike dhe një interpretim të veçantë të një arie nga mësuesja e muzikës e kësaj shkolle Loreta Kosho. Pjesë e këtij aktiviteti ishte dhe presidenti i shkollës z.Dilaver Koçiu, i cili gjatë fjalës së tij përshëndetëse falenderoi Muzeun Historik Kombëtar dhe drejtorin, Dr. Dorian Koçi, për bashkëpunimin e sukseshëm që ka realizuar me shkollën që ai drejton si dhe u shpreh i hapur për bashkëpunime të tjera në të ardhmen. Z.Koçiu shtoi se ndihej krenar dhe e nderonte figurën e Heroit tonë Kombëtar dhe e konsideroi Skënderbeun si një figurë që i takon të gjithë botës së qytetëruar. Programi festiv vijoi me një inskenim nga nxënesit e kësaj shkolle të një pjese nga “Dasma e Skënderbeut”. Më pas vazhdoi me kolazh këngësh me titullin “Jemi bijtë e Kastriotit” për të vijuar me recitimin e vargjeve për Skënderbeun nga dy nxënësit e shkollës jopublike “Faik Konica”. Në përfundim të programit u vu në skenë vallja e mirënjohur Baresha, e cila u interpretua mjaft bukur nga fëmijët.
Të pranishëm në këtë festë të organizuar në kuadër të 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut ishin mësues dhe prindërit e fëmijëve të shkollës jopublike “Faik Konica”.