Veprat e artit të kësaj ekspozite janë krijimtari e artistit, Giampaolo Talani, artist i cili i ka dhënë shtysë të madhe të ashtuquajturës “Arti Publik”, nëpërmjet krijimit të veprave me ndikim të padiskutueshëm dhe të përbashkët emocional, të vendosura në kontakt të drejtpërdrejtë me njerëzit në hapësira publike shumë të frekuentuara. Ekspozita është një kombinim i ekspozitës murale me skulpturën.
Ceremoninë e hapjes e përshëndeti Dr. Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, i cili tha se: “Është një kënaqësi e veçantë që Muzeu Historik Kombëtar të bëjë të mundur që të ketë në ambientet e veta për një periudhë më shumë sesa dy javë këtë ekspozitë të piktorit bashkëkohor Talani. Siç e shikoni këto vepra kanë krijuar një atmosferë tjetër plot ngjyra e plot dritë në këtë sallë të Muzeut Historik Kombëtar frut i bashkëpunimit me Bashkinë e Tiranës. Kjo është një ekspozitë që tërheq vemendjen publikut për arsyen e vetme se nëpërmjet një gjuhe shumë të thjeshtë të pikturës të përshkruar me plot ngjyra dhe figuracion mund të shikoni imazhe të botës sonë moderne të përkthyera drejtpërsëdrejt në jetën tonë të përditshme”. “Gjendet shumë rrallë ajo e mesmja e artë midis artit modern dhe jetës së përditshme, por të paktën në këtë kohë, në këtë moment dhe në këtë ekspozitë arrin që imazhet e kësaj ekspozitë të përcillen drejtpërsëdrejtë dhe në botën tonë estetike”, përfundoi Dr. Dorian Koçi.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj, falenderoi Muzeun Historik Kombëtar , stafin dhe drejtorin Koçi për bashkëpunimin e ofruar , si edhe përfaqësuesit e Mirabili dhe Formitalia që kanë mbështetur sjelljen e kësaj ekspozite në Tiranë. “Ne jetojmë me art dhe Bashkia e Tiranës do të bëjë të mundur pasurimin e këtij qyteti me magjinë e artit dhe me energji pozitive”, përfundoi z. Veliaj.
Artisti Giampaolo Talani përshëndeti këtë ceremoni dhe tha se, “Isha kurioz të shihja këtë vend kaq të afërt me Italinë, kaq të afërt po edhe kaq të panjohur e të ri për shumicën e italianëve. Shpresoj të rikthehem në këtë qytet, që më në fund ka atë që tashmë i mungon qyeteve tona, ajrin drejt së ardhmes, të shpresës për të ardhmen plot me ngjyra”.
“Rotte Traverse” përveç se paraqet një artist i cili është konsideruar si një nga njohësit më të mirë të teknikës së afreskut është një autor i konfirmuar i veprave në Bronz. Teknika e afreskut, mënyra artistike e të shprehurit të autorit, detajet, elementët që ndërthuren si dhe kombinimi i veprave të artit në mur dhe bronz.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për qytetarët deri më 06 Janar 2018 në sallën e Pullave Postare, në katin e dytë të Muzeut Historik Kombëtar.