Muzeu Historik Kombëtar, ky institucion i rëndësishëm muzeor në Shqipëri, me rastin e festave kombëtare të 28-29 Nëntorit u pushtua nga vizitorët. Qindra turistë vendas dhe të huaj zgjodhën të vizitonin muzeun më të madh në vend për tu njohur me historinë dhe kulturën shqiptare, që nis kronologjikisht nga periudha e Lashtësisë deri në ditët tona. Në ditën kombëtare të Flamurit rreth 6000 persona vizituan Muzeun Historik Kombëtar, i cili në atë ditë kishte në kalendarin e tij të aktiviteteve dy organizime. Së pari, u çel ekspozita “105-vjetori i shpalljes së Pavarësisë” në bashkëpunim me Qendrën Mbarëkombëtare të Koleksionistëve të Shqipërisë, që kishte si objekt kryesor penën me të cilën është nënshkruar Akti i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Objekt tjetër me rëndësi ishte aparati telegrafik mors, me të cilin Qeveria e Përkohshme e Vlorës ka marrë e ka dhënë telegrame gjatë periudhës 1912-1914; objekte të protagonistëve të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë; flamuj të periudhës së Pavarësisë, foto origjinale të Ismail Qemalit, foto të firmëtarëve që nënshkruan Aktin e Shpalljes së Pavarësisë, dorëshkrime origjinale, gazeta e revista të asaj periudhe etj. Një vend të rëndësishëm në ekspozitë zunë edhe flamujt e shoqërive atdhetare, të cilat ndezën dëshirën e patriotëve shqiptarë që Shqipëria të ishte e lirë dhe e pavarur. Më pas nxënësit e shkollës “Gustav Majer” dhanë një koncert me këngë dhe recitime për të pranishmit e shumtë që ndodheshin në hollin e Muzeut Historik Kombëtar.
Aktiviteti i dytë erdhi si bashkëpunim mes Muzeut Historik Kombëtar dhe balerinës së TKOB Adela Muçollari. Fëmijë të vegjël performuan balete të njohura vendase dhe të huaj.
Në ditën Kombëtare të Çlirimit të vendit, 29 Nëntor 1944, Muzeu Historik Kombëtar ishte pjesë e projektit dhe traditës tashmë të vendosur nga Bashkia e Tiranës për të qenë pjesë e institucioneve që rrinë hapur për Natën e Bardhë. Me këtë rast 8000 vizitorë vendas dhe të huaj vizituan pavijonet dhe ekspozitat e Muzeut Historik Kombëtar.