Virgjil Kule sjell Skënderbeun në Muzeun Historik Kombëtar, jo si legjëndë, por si një diplomat, politikan e ushtarak krejt racional

Figura e heroit kombëtar të shqiptarëve ka ardhur me këmbë në tokë, krejt racional dhe përfundimisht i ndarë nga mitizimi dhe këndvështrimi si personazh letrar. Këtë e ka bërë të mundur Virgjil Kule, në veprën e tij studimore “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-Kryqtari i fundit”. Madje siç pohon vetë autori, për të ngritur identitetin historik të Gjergj Kastriotit i është dashur një punë shumëvjeçare bazuar mbi një metodikë avangarde të kërkimit shkencor për të dhënë një njeri larg legjendës dhe krejtësisht racional.
Të gjitha këto u thanë në takimin “Klubi i leximit pranë muzeut” ku me cilësinë e studiuesit, Virgjil Kule, foli mbi veprën e tij madhore titulluar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-Kryqtari i fundit”.
“Klubi i leximit pranë muzeut”, është logoja e veprimtarive periodike javore që po zhvillohen në Muzeun Historik Kombëtar, e cila mbështet gjithashtu fushatën kombëtare të leximit “Takohemi për një Libër” inicuar nga Ministria e Kulturës.
Takimi me autorin Virgjil Kule, pati një interes të madh e pjesëmarrje të gjerë. Ishin të pranishëm drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, shkrimtari dhe studiuesi Dr. Ermir Nika, i cili në këtë rast kishte dhe statusin e përfaqësuesit të Ministrisë së Kulturës.
Në fjalën e tij drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dr. Dorian Koçi bëri me dije për të pranishmit se autori Virgjil Kule dhe libri i tij studimor hapnin siparin e “Klubit të leximit pranë muzeut”, ndërsa pas tij do të ishin të pranishëm në Muze edhe autorë të tjerë të njohur me vepra historike e studimore. Dr. Dorian Koçi vlerësoi punën e studiuesit Virgjil Kule duke thënë se “Kryqtari i fundit” vjen për publikun me rastin e shpalljes së Vitit të Skënderbeut.
Ndërsa Dr. Ermir Nika tha se, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-Kryqtari i fundit” ka një konceptim bashkëkohor, ku autori është treguar i ftohtë në gjykim, e ku Heroi ynë Kombëtar vjen jo vetëm si një ushtarak i zoti por dhe një diplomat i jashtëzakonshëm.
Autori, Virgjil Kule, shpjegoi për të pranishmit se libri në fjalë përmbante 25 kapituj, në formën e një ditari të jetës së një njeriu i bazuar në të paktën 1000 dokumente seriozë, një pjesë e të cilave nxjerrë nga arkiva e Vatikanit.
Të pranishmit patën interes për librin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-Kryqtari i fundit” dhe bënë pyetje shtese të cilave u dha përgjigje vetë autori Virgjil Kule.

23415401_1732497646813001_1462689820033789491_o 23333950_1732497383479694_991087176832084757_o 23456390_1732497203479712_553360917705563249_o 23456277_1732496963479736_7806533233906613212_o 23316797_1732496840146415_7889282211620482393_n

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *