Armët e rralla të shqiptarëve brenda një ekspozite mahnitëse në Muzeun Historik Kombëtar

Në kuadër të 105-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në Hollin Kryesor të Muzeut Historik Kombëtar u organizua ekspozita “Armë të mjeshtërve shqiptarë”. Në këtë ekspozitë janë ekspozuar 47 objekte: 21 kobure, 8 pushkë, 10 vezme, 2 harbi dhe 6 jataganë. Armët ilustrohen edhe me gravura, me anën e të cilave pasqyrohet puna artistike e armëtarëve shqiptarë. Zbukurimet e armëve janë bërë me teknikën e filigranit. Ekspozita është kuruar nga stafi i Muzeut Historik Kombëtar.

Për të pranishmit në çeljen e ekspozitës Dr.Dorian Koçi , Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar shpjegoi se, nëpër vitrinat Muzeut Historik Kombëtar janë të ekspozuara mjaft armë origjinale, pushkë, kobure, jataganë, vezme etj., të prodhuara dhe zbukuruara në mënyrë artizanale prej armëtarëve të kohës. Bukuria dhe teknika e punimit të armëve shqiptarëve ka tërhequr vëmendjen e udhëtarëve të huaj por dhe figurave të rëndësishme të kulturës kombëtare. Eruiditi dhe studiuesi i njohur i kulturës shqiptare,Faik Konica kur përshkruan zejtaritë e shqiptarëve ka thënë: “Dy kanë qenë mjeshtëritë më të mira të shqiptarëve – argjendaria dhe qëndistaria. Armët e tyre ishin të punuara me argjend, por edhe të lara me ar”.

Në fund të shek. XVIII dhe në fillim të shek. XIX pati një zhvillim të gjithanshëm të zejtarisë, përfshirë edhe zejtarinë e prodhimit të armëve. Disa nga qendrat më të rëndësishme të peodhimit të armëve ishin në Shkodër, Prizren, Dibër, Berat, Elbasan dhe Janinë. Në Elbasan janë prodhuar armë zjarri që prej vitit 1670. Shqiptarët e Shkodrës, Gjakovës dhe të Prizrenit qenë mjeshtër në punimin e armëve dhe të objekteve të tjera prej metali.

Por, duket se fama e armëve të prodhuara prej shqiptarëve ka shkuar shumë larg. Në Konkursin e Londrës në vitin 1866, ato armë morën tituj nderi. Në Ekspozitën Universale të Parisit në vitin 1867 pati armë dhe disa punime filigrani, të prodhuara në punishtet e Prizrenit, të cilat nuk qëndronin më poshtë se ato të armëpunuesve më të kualifikuar të Europës. Ndërsa në Ekspozitën Universale të Çikagos, të vitit 1894, qe vendosur edhe një martinë, e punuar me mjeshtëri të hollë nga dora e një armëtari të talentuar nga Tetova.

Ekspozita “Armë të mjeshtërve shqiptarë” do të jetë e hapur në hollin kryesor të Muzeut Historik Kombëtar nga data 3 nëntor deri më 13 nëntor 2017.

23275373_1724194270976672_253101589731710083_o 23120001_1724194100976689_4951225075791535874_o 23167961_1724193794310053_1061153637064761640_n 23031581_1724193914310041_1930442984163875439_n 23119960_1724193724310060_11321140590429370_o 23032573_1724193590976740_2125549864616839916_n 23213233_1724194024310030_6805954682831010352_o

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *