Nuk mund të ndodhte ndryshe me një këngëtare lirike që jeton larg atdheut, e cila emocionohet dhe përlotet, teksa në vendin e lindjes së saj këndon për publikun “Moj e bukura more”. Kjo ndodhi me sopranon e mirënjohur Arlinda Morava gjatë ceremonisë së aktivitetit, logoja e të cilit shkruante: “Hello, my name is Bukur Esht”.
Është pikërisht Muzeu Historik Kombëtar që në bashkëpunim me Muzeun e Bukureshtit organizuan çeljen e ekspozitës: “Hello, my name is Bukur Esht”. Dhe prologut të kësaj ngjarjeje i parapriu një koncert me pjesëmarrjen speciale të sopranos Arlinda Morava dhe Ansamblit të Universitetit të Arteve në Tiranë drejtuar nga maestro Lorenc Radovani. Muzikë e zgjedhur nga autorë të njohur rumunë, dhe këngë qytetare korçare do të përbënin repertorin e këtij koncerti, i cili e bëri spektatorin në plate të duartrokiste fort për interpretimin mjeshtëror të sopranos dhe orkestrës që e shoqëronte.
Adrian Majuru, drejtori i Muzeut të Bukureshtit, i pranishëm në këtë aktivitet, do të thoshtese vizitorët në këtë ekspozitë mund të shihnin dhe gjyshërit e tyre, pasi 100 vite më parë komuniteti shqiptar ishte shumë i madh aq sa rreshtohej i dyti në Rumani pas atij Izraelit.
Nga ana e tij drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, u shpreh se: “ “Kultura nuk ka kufij dhe është hapësira më e mirë që bashkon popujt dhe vendet e ndryshme në rajon. Bukureshti ka qenë një qendër e rëndësishme e Rilindjes Kombëtare dhe këto foto sjellin imazhe nga ajo kohë e artë e diasporës shqiptare”. Duke vlerësuar ekspozitën “Hello, my name is Bukur Esht”, drejtori Dorian Koçi tha se po mendohej që në muajt në vazhdim, Muzeu Historik Kombëtar të paraqitej në Bukuresht me një ekspozitë, veç titulli këtë herë do të ishte në versus “Hello, my name is Tirana”.Më pas vizitorët shijuan fotografitë e Bukureshtit të viteve 1920-1940.