Dinos Koubatis ringjall Ali Podrimjen nga kompleksiteti i heshtjes

A mund të ndryshojë koncepti kohë? A mundet ajo ta humbasë rëndësinë, apo të marrë më shumë vlerë, në një segment të caktuar, që mund të jetë një shekull, një dekadë, apo pesë vjet të thjeshta tokësore? Padyshim që po. Dhe këtu nuk ka nevojë për fizikë të aplikuar dhe as për kalkulime matematikore. Këtë gjë hyjnore e bën të mundur një poet i vetëm. Për më tepër kur ai mbart mbi vete vlera universale. Ai është Ali Podrimja, poeti që lindi në Gjakovën e Kosovës, por që vdiq në ditët e një festivali poezie në Lodeve të Francës.
Pesë vjet pas vdekjes së tij në rrethana misterioze dhe ende të pasqaruara, një tjetër poet, këtë herë nënshtetas grek, i kushton një libër të veçantë. “Ali Podrimja in Memoriam”, është vëllimi që Dinos Koubatis ua dhuron shqiptarëve.
Miq të Ali Podrimes, por dhe të Dinos Koubatit, që është jo pak i njohur në trevat shqiptare, u mblodhën në Muzeun Historik Kombëtar për të promovuar librin në fjalë. I pranishëm në këtë promovim ishte edhe ministri i Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko.
“Fjala shqipe kish dy dekada që përmes artit të Podrimes fluturonte në qiejt evropianë për të rrëfyer bukuritë dhe tragjeditë e një kombi të vogël që vuante nën një regjim kolonial në fund të shekullit të dritës në mes të Evropës”, tha mes të tjerash në fjalën e tij të hapjes drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dr.Dorian Koçi. Sipas tij, arti i vërtetë përmes poemave të Podrimes i kanë dhënë atij një emër të merituar në panteonin e letrave shqip.
Ali Podrimja jo rrallë herë është cilësuar si poet me një talent të rrallë, i paparashikueshëm e për më tepër jokonvencional.
Për profesor Përparim Kabon, është shumë interesant fakti që një poet nga Greqia shkruan për një poet nga Kosova, dhe sipas tij, është pikërisht një njeri si Dinos Koubatis që me veprën e tij kapërcen pengesat të cilat politika i ngre në kufijtë e Ballkanit. Dhe në fund të fjalës së tij të ndjerë, Përparim Kabo do t’i drejtohej Ali Podrimes, që me siguri për të ishte veç në parajsë: Ali, a na dëgjon? Dinos Koubatis na ka mbledhur në Muzeun Historik Kombëtar, jo për të trajtuar si një objekt muzeal, por për të të çmontuar nga kompleksiteti i heshtjes.
Poeti dhe prozatori Pandeli Koçi gjithashtu do ta cilësonte Ali Podrimen si një shpirt rebel, dhe në mbylljen e fjalës preferoi ta bënte me disa vargje të tij.
Gjatë promovimit foli dhe botuesi Muhamet Kurti, i cili vlerësoi lart gjithë krijimtarinë e poetit Podrimja. Por në një parantezë të tij, botuesi nga Gjakova duke iu drejtuar Pandeli Majkos me fjalët “vëllain që e duam shumë” tha se: kur politika vjen te kultura do të thotë që i kemi punët mirë.
Në fund të takimit foli autori i veprës, poeti Dino Koubati. Ai tregoi shkurtimisht se si kishte ardhur në Shqipëri, fillimisht në vitin 1995 me anë të Ilirian Zhupës, i cili me shtëpinë botuese “Faik Konica” kishte botuar një libër të tij e më pas ishte njohur me Irena Toçin e “Toenës” për të vazhduar bashkëpunimin e mëtejshëm. Duke e cilësuar Ali Podrimen si një mik të shtrenjtë dhe vdekjen e tij si një humbje ndërkombëtare, Koubati tha se, kur mori përsipër të bënte një vepër për të, nuk mendoi të shkruante diçka të thjeshtë, por të bënte një studim të thelluar dhe analizë krahasuese për veprën e tij.
Promovimi i librit “Ali Podrimja in Memoriam” u mbyll me dhënien e autografeve nga ana e poetit grek Dinos Koubatis.

22829843_1714053641990735_639193335882324348_o 22713436_1714053128657453_481383053380198215_o 22770025_1714052678657498_2088240269756571035_o 22859677_1714052508657515_8798733112821163335_o

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *