Prezantohet “Studime Muzeologjike Nr. 7”, revista shkencore drejt një modeli të ri

Revista duhet të ridimensionohet dhe për më tepër i duhet dhënë një frymëmarrje më e gjerë, kur ky botim është i vetmi i këtij lloji në të gjitha trevat shqiptare. Ky ishte përfundimi me të cilin ranë dakord të gjithë, anëtarë të redaksisë dhe bashkëpunëtorët e revistës “Studime Muzeologjike”.
Prezantimi i numrit 7 të revistës “Studime Muzeologjike” u përcoll me një debat pozitiv dhe shumë frytdhënës, lidhur me ecurinë e saj në të ardhmen. Po të kemi parasysh se botimi i kësaj reviste ishte pezulluar për 10 vite me radhë, mund të themi se ajo ka bërë një jetë të vështirë që nga dalja e numrit të parë të saj.
Prej vitit 2002, një herë në vit, Muzeu Historik Kombëtar boton revistën “Studime Muzeologjike”, ndërsa ideatori i këtij botimi ka qenë ish-drejtori i tij, studiuesi Moikom Zeqo. Gjatë viteve 2002-2004 kanë dalë rregullisht 3 numra të revistës. Por pas një ndërprerjeje prej dhjetë vjetësh, në vitin 2014 u realizua botimi i numrit 4 i revistës “Studime Muzeologjike”. Botimi ka vijuar edhe në vitet 2015, 2016 e 2017.
Në prezantimin e numrit 7-të të revistës “Studime Muzeologjike” morën pjesë bashkëpunëtorët e ngushtë të saj, anëtarë të redaksisë si dhe të ftuar të tjerë.
Në fjalën e tij Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi bëri një ekspoze të zgjeruar të 12 artikujve që janë botuar në këtë numër. Më pas Prof. Dr. Pëllumb Xhufi jo vetëm përshëndeti këmbënguljen e institucionit për vazhdimin e botimit pas ndërprerjes së gjatë, por tha se “Studime Muzeologjike” është një revistë që konkurron me dinjitet me revistat e tjera shkencore që botohen nga institucionet e tjera në vend.
Në fjalën e tij Prof. Dr. Luan Përzhita i mëshoi faktit se revista “Studime Muzeologjike” është e vetmja e këtij lloji në të gjitha trevat shqiptare dhe si e tillë duhej riformatuar, për të shkuar tek studiuesit e fushës, por dhe lexuesit e tjerë me një përmbajtje më të gjerë, por dhe me një koncept më modern edhe në formë. Ky propozim u mirëprit nga drejtuesit e panelit, por dhe nga të pranishmit në takim.
Folën për revistën dhe për ecurinë e saj në të ardhmen dhe Prof. As. Dr. Frederik Stamati, si dhe Prof. Asoc. Dr. Ermal H. Baze.
Dalja në qarkullim e “Studime Muzeologjike-7” u bë e mundur përmes punës së një redaksie të zgjeruar e mjaft të kualifikuar, anëtarë të së cilës janë: Dr. Dorian Koçi, Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, Prof. Dr. Luan Përzhita, Prof. Dr. Persida Asllani, Dr. Ardit Bido.
Në numrin 7-të të tij, revista shkencore “Studime Muzeologjike” ka të përzgjedhur një seri shkrimesh, të cilat i përmbahen muzeologjisë, historisë, antropologjisë, por ka të trajtuara gjithashtu dhe histori arti, konservim e restaurim.
Revista përmban 12 shkrime me tema të ndryshme, ku të bien në sy ajo e shkruar nga Dr. Dorian Koçi, i cili është gjithashtu dhe Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, me temë: “Dy kisha Romaiko-Gotike në Shqipërinë e Epërme”. Më pas vjen punimi i Andrea Llukanit me titull: “Ikonat e Diço Zografit në Muzeun Historik Kombëtar”; punimi mjaft interesant i Ledio Xhoxhit me titull: “Si mundet muzeu im të ndihmojë vizitorët me probleme në shikim”. Ndërkohë që janë paraqitur me punimet e tyre edhe Prof. Dr. Luan Përzhita, Prof. As. Dr. Shaban Dervishi, Prof. As. Dr. Frederik Stamati, Prof. Asoc. Dr. Ermal H. Baze, Tatjana Alimema, Etleva Demollari, Alban Meta e Sokol Çunga.
Qëllimi kryesor i kësaj reviste shkencore është: të stimulojë debatin rreth vlerave të trashëgimisë kulturore shqiptare. Nëpërmjet revistës “Studime Muzeologjike”, Muzeu Historik Kombëtar nxit dhe inkurajon veprimtarinë kërkimore-shkencore në fushën e muzeologjisë, historisë, antropologjisë, konservimit dhe restaurimit.

22339451_1695620580500708_5158952158425264148_o 22424334_1695620607167372_4167430541555424788_o 22289953_1695620603834039_586511682720848864_o

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *