Sesion shkencor në Ditën Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore, trajtohen objektet prej argjendi në Muzeun Historik Kombëtar

Në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, e cila përkon me 29 shtatorin, Muzeu Historik Kombëtar ka organizuar një seri aktivitetesh. Në fakt, Ditët Europiane të Trashëgimisë synojnë mbrojtjen, promovimin dhe ndërgjegjësimin e opinionit publik për vlerat e trashëgimisë sonë kulturore, sidomos të brezit të ri. Prandaj tema e përbashkët në Ditët e Trashëgimisë për këtë vit është: “Natyra, trashëgimia, edukimi”. Në fondin e Muzeut Historik Kombëtar gjenden mjaft objekte të punuara me ar dhe argjend: mbulesa ikonash, kapakë ungjijsh, potirë, lugë kungimi, kryqe, kuti me relike shenjtorësh, etj. Në këtë kuadër, nga ky Muze u organizua dhe sesioni shkencor që u trajtua nën logon: “Mjeshtëria e punimit të argjendit në vendin tonë”. Në këtë tryezë të rumbullakët u mbajtën disa kumtesa të rëndësishme. Aktivitetin e hapi drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi i cili referoi mbi temën: “Objektet prej argjendi në Muzeun Historik Kombëtar”. Në kumtesën e tij, Dr. Dorian Koçi u ndal tek trashëgimia, duke trajtuar më tej dhe mjeshtëritë e punimit të argjendit në vendin tonë.
Më pas referoi Prof. Ass. Dr. Frederik Stamati mbi temë: “Restaurimi i objekteve prej argjendi në Muzeun Historik Kombëtar”. Ndërsa dha kontributin e saj edhe Vilma Nallbani, nga Instituti i Antropologjisë, e cila mbajti kumtesën me temë: “Argjendaria, një mjeshtëri tradicionale me vlera kulturore dhe artistike në shek. XVII-XX”.
Në fund të sesionit pati dhe një debat të hapur me pyetje nga pjesëmarrësit, ku u fol për detaje profesionale nga puna për mirëmbajtjen e objekteve prej argjendi, ato që tanimë janë pjesë e koleksionit të Muzeut Historik Kombëtar.
Në kuadër të zbatimit të ligjit “Për Trashëgiminë Kulturore”, me Urdhërin e Ministrit të Kulturës dita 29 Shtator e çdo viti është shpallur si “Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore”.

22104549_1683544385041661_3478451958531882444_o 22104665_1683544265041673_1701771546149769999_o 22041893_1683544165041683_3861492753811310736_o 22048080_1683543958375037_8552503854923428642_o

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *