Në sallën e ekspozitave të Muzeut Historik Kombëtar u çel sot ekspozita “PranverArt 8 – 2017” me vepra në pikturë dhe skulpturë të 71 artistëve më të njohur të vendit tonë, por edhe të bashkatdhetarëve tanë nga Kosova dhe diaspora.
Kjo ekspozitë është tashmë një aktivitet i nisur si një e përvitëshme tradicionale, që ka zënë vend të përhershëm në kalendarin vjetor të veprimtarive kulturore të kryeqytetit, dhe këtë vit vjen si rezultat i një bashkëpunimi të vyer mes grupit organizator dhe Muzeut Historik Kombëtar.
Në ekspozitë ishin të pranishëm shumë të ftuar dhe artdashës, të cilët ndoqën nga afër frutin e krijimtarisë më të fundit të artistëve pjesëmarrës.
Ekspozita do të mirëpresë vizitorët e vet deri më 22 Shtator.