Muzeu Historik Kombëtar organizoi sot, promovimin e dy librave të publicistit dhe studiuesit Luan Rama, “Me arvanitët udhëve të Greqisë” dhe “Shqiptarët e Leon Gerome”.

Të ftuar në këtë veprimtari ishin studiues, akademikë edhe personalitete të kulturës në Shqipëri.

“Luan Rama është autor i shumë studimeve mbi pikë takimet e kulturave franko-shqiptare, në vijim të zbulimit të personaliteteve të botës shqiptare në Evropë duke ndriçuar nga arkivat franceze dhe italiane shenjtorët ilir, fisnikët arbër, artistët dhe poetët shqiptarë më me ndikim në qytetërimin Perëndimor”, u shpreh në fillim të takimit kulturor, z.Dorian Koçi, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar.
Në prezantim u analizuan dy librat e autorit Luan Rama, si libra që shenjojnë identitetin kombëtar dhe kulturor të shqiptarëve. Studiuesi i artit, z. Abaz Hado paraqiti një panoramë të artit të piktorit të shquar francez Gerome dhe mënyrës sesi e ka përcjellë autori Luan Rama në librin e vet. Në fjalën e tij Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar dhe studiuesi Dorian Koçi analizoi vlerën e veçantë të shënimeve dhe shkrimeve për arvanitët si një nga popullatat shqipfolëse që plotësojnë mozaikun kulturor, etnografik e gjuhësor të shqiptarëve në rajon.

Luan Rama është kineast, studjues arti, publiçist, shkrimtar, dhe ka lobuar si ambasador (1991-1992) në Paris, Francë dhe diplomat kulturor i Shqipërisë (1997-2001), duke e përfaqësuar vendin edhe në UNESCO. Autori krijon e punon në Universitetin INALCO (Institut des Langues et Civilisations Orientales) Paris, Francë. Ai është diplomuar për Gazetari në Universitetin e Tiranës, dhe është profilizuar për Audiovizual e Kinematografi në Universitetin e Parisit “Denis Diderot”. Luan Rama është skenarist i katër filmave të prodhuar nga Kinostudio Shqipëria e Re, ndër të cilët mund të veçojmë filmin “Vajzat me kordele të kuqe”. Disa nga veprat më të zëshme kohët e fundit janë studimet në rrafshin kulturor :
• Dorëshkrimet e purpurta – studim ku shtjellohen edhe Kodikët e Shqipërisë shikuar si vlera botërore që nga kodikët e Beratit, Vlorës, Korçës, apo Voskopojës.
• Parisi letrar – studim ku shpaloset jeta e panjohur njerëzore dhe itinerari artistik i shkrimtarëve të shquar francezë.
• Pikëtakim me Jean Cocteau(Zhan Kokto) – jeta pasionale dhe vepra poliedrike e poetit francez,
• Jean Moréas, Jani nga Moréa- studim mbi poetin simbolist arvanistas,
• Kalorësit e Stuhisë – normandët, frankët dhe shqiptarët -studim ku dëshmohet roli i stratiotëve dhe lidhjeve të aristokracive anzhuine dhe arbërore,
• Santa Quaranta – Romani trajton historinë e qëndrimit të balerinës Isadora Duncan në Sarandë,
• Shkëlqimet e Meteorëve – Libri sjell përvojën e aktoreve franceze në sheshin e xhirimit,
• Origjina e Botës – Romani intrigohet tek historia e nudos së piktorit Courbet e porositur nga Halil beu, ambasadori shqiptar në Paris i Perandorisë Osmane.
• Dino – Shtegtari i Portës Sublime – Monografi e piktorit Abedin Dino dhe saga e familjes shqiptare Dino nga Çamëria.
• Krushq të largët – Libri i parë i autorit ngritur mbi pikëtakimet franko-shqiptare, Pont entre deux rive (Ura midis dy brigjeve).

17264809_1440516942677741_3251439305207025060_n 17264557_1440516852677750_8993504757975461557_n 17309646_1440516859344416_5811746381851109561_n

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *