…Tirana u çlirua… Këto kanë qenë fjalët e para që Radiostacioni i vetëm shqiptar ka thënë më 17 nëntor të vitit 1944. Më pas është transmetuar Himni i Flamurit Kombëtar. Këto mbajnë mend mirë edhe veteranët, pjesëmarrës në këtë luftë. Ishin ditët kur 3000 trupa gjermane të Korpusi XXI që ishte pjesë përbërëse e gruparmatës “E”, kishin marrë urdhër të mbanin me çdo kusht kryeqytetin shqiptar, gjë që do të siguronte tërheqjen e trupave naziste, të cilat vinin nga Greqia e Maqedonia. Për të marrë Tiranën u deshën 19 ditë luftime, ku mësymja do të niste prej Divizionit të Parë Sulmues, në përbërje të të cilit ishin Brigada I, IV dhe XXIII. Në këtë betejë të ashpër ranë dëshmorë 127 partizanë dhe u plagosën 290 të tjerë.
72 vite më pas në Muzeun Historik Kombëtar u mbajt një ceremoni përkujtimore ku kishte shumë të ftuar, veteranë të luftës, historianë por dhe të rinj. Në fjalën e tij përshëndetëse kryetari i Bashkisë, vlerësoi 17 Nëntorin si një nga ngjarjet më të rëndësishme, jo vetëm për Tiranën, por për gjithë Shqipërinë. “Është një çast për të kujtuar. Janë disa mesazhe që mbeten po aq të freskëta edhe kur kalojnë 72 vite. Mesazhi i freskët që na vjen nga ajo kohë është që për kryeqytetin, për vendin, historia kërkon sakrifica. Fatmirësisht, historia sot nuk kërkon sakrificat e dhënies së jetës për kryeqytetin, por sigurisht sot kërkohet që të ndërtojmë me të njëjtin pasion dhe të njëjtën energji, ashtu si të rinjtë e 72 viteve më parë luftuan për të ruajtur identitetin e vendit tonë”, tha Veliaj. Ai theksoi se vepra e tyre duhet të jetë shembull dhe frymëzim për brezin e tanishëm.
Në kumtesën e tij, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar z.Melsi Labi bëri një rezyme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, duke u përqendruar padyshim te beteja për marrjen e Tiranës. Mes të tjerash ai tha: “Mësymja për çlirimin e Tiranës u zhvillua si një gërshetim veprimesh luftarake, kryesisht frontale në qytet dhe partizane jashtë Tiranës. Çlirimi i Tiranës paralajmëroi çlirimin e gjithë Shqipërisë. Tirana ishte një ndër kryeqytetet e para në botë, i cili çlirohej me forcat e veta. Më 28 Nëntor 1944 Qeveria Demokratike e Shqipërisë dhe kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar hynë në kryeqytetin e çliruar”.
Ndërkohë, historianët Paskal Milo e Pëllumb Xhufi sollën para të pranishmëve fakte nga luftimet që u zhvilluan në kryeqytet deri në ditën e çlirimit. “Ajo që ndodhi pas vitit 1944 në Shqipëri nuk e kompromentoi Luftën Antifashiste”, tha midis të tjerash Prof. Paskal Milo. Nga Komiteti i Veteranëve përshëndeti Arqile Veshi, i cili bëri gjithashtu një përmbledhje të të gjithë luftimeve për marrjen e kryeqytetit, të cilat nisën në ora 16.00 të datës 11 nëntor dhe përfunduan mëngjesin e 17 nëntorit 1944.
Në fjalën e tij, drejtori i Arkivës së Shtetit, z.Ardit Bido iu referua fotografive të Tiranës në ditët e para të çlirimit, një pjesë e madhe e të cilave nuk ishin publikuar më parë.
Në këtë aktivitet u kënduan kënge patriotike nga një kor i Liceut Artistik “Jordan Misja” dhe gjithashtu u recituan vargje nga aktori i njohur Mirush Kabashi. Në fund, të pranishmit ndoqën edhe ekspozitën e organizuar nga Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror, me foto që publikoheshin për herë të parë e që evokonin Tiranën e atyre ngjarjeve.