Dita Kombëtare të Spanjës festohet në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar

Ambasada e Spanjës në Tiranë festoi dje, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, Ditën Kombëtare të Spanjës, në një ceremoni ku ishin mbledhur Ambasadorë të akredituar në Tiranë, Ministra, deputetë, artistë dhe dashamirës së kulturës spanjolle.
Ambasadori Vicente Canelles Montero, falenderoi të pranishmit dhe u shpreh se, “Kam gjetur një Shqipëri, e cila po bën progres në hapat e saj drejt Bashkimit Europian. Shqipëria është një vend i bukur me njerëz të mrekullueshëm dhe kulturë të madhe. Unë dhe bashkëshortja ime e dashuruam këtë vend qëkur erdhëm, edhe pse kemi vetëm 110 ditë që jemi akredituar në Shqipëri dhe na kanë ngelur akoma shumë vende me natyrë të bukur pa vizituar”. Gjithashtu, z.Ambasador falenderoi drejtorin e Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, për mikpritjen e aktivitetit në ambientet e muzeut. Në fund të fjalës Ambasadori Vicente Canelles Montero, falenderoi paraardhësen e tij, znj.Silvia Cortés Martin, për fillimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me Muzeun Historik Kombëtar duke filluar me botimin e dy katalogjeve dygjuhësh, shqip dhe spanjisht, për Pavijonet e Mesjetës dhe këndit të Pashallëqeve të mëdha shqiptare dhe Pavijonin e Rilindjes dhe Pavarësisë Shqiptare.
“Bashkëpunimi dhe përkrahja mes dy vendeve tona do të vazhdojë të jetë i mirë, ashtu siç e ka treguar dhe vetë historia”, përfundoi Ambasadori Vicente Canelles Montero.
Ndërsa drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, në fjalën e tij përshëndetëse tha se, “Dëshiroj të shpreh më kënaqësinë më të madhe se është një nder për mua dhe Muzeun Historik Kombëtar që Ambasada e Spanjës zgjodhi për të dytën herë këtë Atrium të veçantë për të organizuar Ditën e saj Kombëtare. Duhet theksuar se, tashmë Ambasada e Spanjës dhe Muzeu Kombëtar kanë krijuar një marrëdhënie bashkëpunimi shumë të frytshme duke sjellë së bashku ceremoni të kësaj natyre, ekspozitën tepër të veçantë për të famshmin Servantes dhe së fundmi projektin tonë të përbashkët për të sjellë për vizitorët, sidomos ata spanjisht-folës, dy katalogë shqip-spanjisht, një për Pavijonin e Mesjetës dhe një për Pavijonin e Pavarësisë dhe Rilindjes Kombëtare, që tregojnë objektet më të veçanta dhe përmbajtjen e secilit pavijon. Vitet e fundit vizitorët spanjisht-folës, që kanë vizituar Muzeun Historik Kombëtar, kanë qenë gjithmonë në rritje duke i bërë këto dy katalogë shumë të vlefshëm dhe efikas për të gjithë turistët që kanë vizituar dhe duan të vizitojnë muzeun tonë”.
Në fund të gjithë të pranishmit uruan ambasadorin për Ditën Kombëtare të Spanjës.

22459170_1699187163477383_7678295584461556682_o 22426579_1699186883477411_8105442813564128310_o

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *