Në kuadër të programit “Edukimi përmes Kulturës”, Muzeu Historik Kombëtar organizoi veprimtarinë “Një pasdite në muze!” me temë: “Kamarda dhe sprova e tij për një gramatologji të krahasuar të shqipes”. Këto takime periodike bëhen me qëllimin për të sensibilizuar shoqërinë shqiptare mbi çështje të ndryshme të historisë, kulturës dhe trashëgimisë kombëtare shqiptare. Për të referuar për këtë temë ishin të pranishëm Dr. Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar dhe Docent Dr. Ardian Doka, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Universiteti i Tiranës.
Në fjalën e tij, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi tha se në vitin 1866 u botuan dy përmbledhje të rëndësishme të folklorit arbëresh-shqiptar, njëra “Rapsodi e një poemi shqiptar” prej De Radës dhe tjetra prej filologut të shquar Dhimitër Kamarda (1821-1882) nga Hora e Arbëreshve pranë Palermos, si “Shtojcë” e veprës “Sprovë e gramatologjisë krahasuese mbi gjuhën shqipe”. Nëpërmjet pasurisë së madhe artistike që paraqiste folklori, të dy studiuesit arbëreshë u përpoqën me sukses të tërhiqnin vëmendjen e opinionit publik botëror mbi popullin shqiptar dhe lashtësinë e tij, si dhe mbi të drejtën e tij për t’u njohur si komb më vete.
Ndërsa, Docent Dr. Ardian Doka, pedagog i brendshëm pranë Fakultetit të Historisë e të Filologjisë, midis të tjerash tha se, me gjithë jetën e vështirë prej “emigranti politik” Dhimitër Kamarda ia kishte dalë të vendoste e të mbante lidhje me intelektualët arbëreshë të kohës, mes të cilëve Vinçenso Dorsën, Jeronim de Radën dhe Gjergj e Vinçenso Skiroin. Por ai pati miqësi të ngushtë e letërkëmbim të shpeshtë edhe me Dora d’Istrian – Elena Gjikën, ndoshta shqiptaren më të kulturuar që ka jetuar ndonjëherë, njohësen e thuajse të gjitha gjuhëve të Evropës, e cila kishte për Kamardën një vlerësim të veçantë.
Sektori i Menaxhimit të Koleksioneve në bashkëpunim me sektorë të tjerë organizon këtë takim shkencor-social me një natyrë periodike, për të përkujtuar figura të shquara të historisë dhe të letërsisë shqiptare, ballkanike dhe europiane që kanë shkruar dhe kanë kontribuar për evidentimin e vlerave kulturore. Në këtë veprimtari ishin të pranishëm nxënës nga gjimnazi “Sami Frashëri”, të cilët morën përgjigje për pyetjet e tyre të shumta.