Dita Ndërkombëtare e Muzeve synon të rrisë ndërgjegjësimin publik mbi rolin e muzeve në zhvillimin e shoqërisë.
Në kuadër të kësaj dite, Muzeu Historik Kombëtar organizon tre veprimtari:
1- Çelja e ekspozitës me temë “Muzetë dhe historitë tabu. Thesare të argjendarëve vendas”, e cila përmban rreth 20 objekte prej ari dhe argjendi, të cilat janë punuar nga argjendarët vendas, që i përkasin shek. XVII-XVIII. Ajo do të qëndrojë e hapur për publikun nga data 18 maj deri më 4 qershor 2017, në pavijonin e ikonave të Muzeut Historik Kombëtar. Qëllimi i ekspozitës është të promovojë kulturën kombëtare të argjendarëve tanë, duke qenë se tradita e punimit të objekteve kishtare ka qenë e ndaluar për 50 vjet.
2- Veprimtari e përbashkët midis ICOM Shqipëria, Muzeu Historik Kombëtar, Muzeu Arkeologjik dhe Qendra e Studimeve Albanologjike. Më 18 maj 2017, ora 13:00, pranë sallës “Kostandin Shpataraku” organizohet: Tavolinë e rrumbullakët me temë “Muzetë dhe historitë e kontestuara: të thuash të pathënën në muze”.
3-Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve (18 maj) dhe Natës Evropiane të Muzeve (20 maj), Muzeu Historik Kombëtar do të qëndrojë i hapur për publikun deri në orët e vona të natës si dhe hyrja do të jete falas.
Ju mirëpresim!