Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 tetor 1981. Ai është institucioni më i rëndësishëm muzeor në Shqipëri. Muzeu Historik Kombëtar synon të nxisë mirëkuptimin e vlerësimin e historisë së Shqipërisë te publiku vendës, kombëtar dhe ndërkombëtar. Ai synon, gjithashtu të inkurajojë dialogun midis qytetarëve për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen shqiptare. Për këtë qëllim, ai ruan dhe studion provat materiale dhe jomateriale të trashëgimisë historike dhe kulturore të Shqipërisë, të cilat i komunikon dhe i paraqet në një mjedis, që nxit edukimin. Ai organizon dhe mundëson, gjithashtu aktivitetet, që përkrahin vizionin dhe misionin e tij. Ndërtesa e Muzeut Historik Kombëtar zë një sipërfaqe të përgjithshme prej 27.000 m2; ka sipërfaqe ekspozimi prej 18.000 m2 dhe një vëllim të përgjithshëm prej 81.000 m3. Në mjediset e muzeut janë rreth 6200 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore, duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Objekte të ekspozuara janë rreth 3100. Pjesa tjetër e objekteve janë në fonde. Aktualisht, Muzeu Historik Kombëtar ka shtatë pavijone: Lashtësia, me 585 objekte; Mesjeta, me 217 objekte; Ikonografia, me 90 objekte (nga të cilat 70 janë ikona dhe 20 janë objekte liturgjike kishtare); Rilindja Kombëtare, me 230 objekte; Pavarësia, me 142 objekte etj. Për konceptimin dhe përmbajtjen e Muzeut Historik Kombëtar ka punuar një grup pune, i përbërë nga specialistët më të mirë të muzeologjisë, arkeologjisë, historisë, etnografisë, artit pamor dhe restaurimit. Grupi i punës është drejtuar nga personalitete të shquara, si Gani Strazimiri, Koço Miho, Besim Daja, Skënder Luarasi, Valentina Pistoli, Sami Pashallari, Ilia Papanikolla, Robert Kota, Latif Lazimi, Guri Pani, Maksim Mitrojorgji, Magdalena Furxhiu, Odhise Paskali, Kristaq Rama, Shaban Hadëri, Foto Stamo, Fatmir Haxhiu, Guri Madhi, Ndreçi Plasari, Stefanaq Pollo, Kristo Frashëri, Selim Islami, Kleanthi Dede, Ballkize Haxhihyseni, Taqi Miho e shumë të tjerë. Muzeu Historik Kombëtar është institucion studimor shkencor. Krahas sallave të pavijoneve, muzeu ka edhe mjediset e arkivit e të laboratorëve, salla të ekspozitave të përkohshme dhe salla konferencash.

1 Korrik

Njoftim për shpalljen e një pozicioni vakant pë Specialist në Konservimin e Koleksioneve

Në mbështetje të dispozitave të Ligjit nr. 7961, datë 12.07.1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, të strukturës dhe organikës së miratuar të institucionit, si dhe të Rregullores së Organizimit dhe Funksionimit të Brendshëm të Muzeut Historik Kombëtar, miratuar me urdhrin nr. 509, datë 09.12.2020, Muzeu Historik Kombëtar shpall procedurën për plotësimin e një vendi të lirë pune, si më poshtë:

Pozicioni vakant

Titulli i vendit të punës: Specialist në Konservimin e Koleksioneve

Numri i pozicionit: 1 (një)

Kategoria e pagës: IV-2

Lloji i kontratës: Me kohë të plotë, pa afat

Vendndodhja: Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë

Përshkrimi i përgjithshëm i pozicionit

Specialisti i Konservimit është përgjegjës për ruajtjen, mirëmbajtjen dhe ndërhyrjet profesionale për konservimin e objekteve muzeore në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare. Pozicioni kërkon njohuri të specializuara në fushën e konservimit dhe zbatim të praktikave bashkëkohore për materialet si druri, metali, tekstili, letra, qeramika, etj.

Detyrat kryesore

  1. Kryen ndërhyrje konservuese në objektet muzeore, sipas metodologjive të pranuara shkencërisht.
  2. Përgatit pasaporta dhe kartela teknike për objektet përpara, gjatë dhe pas çdo ndërhyrjeje.
  3. Merr pjesë në projektet kërkimore dhe konservuese, në bashkëpunim me institucione të tjera brenda dhe jashtë vendit.
  4. Kryen dokumentimin fotografik dhe teknik për çdo proces ndërhyrjeje.
  5. Bashkëpunon për dezinfektimet periodike dhe pastrimin e fondeve muzeore.
  6. Ndjek zhvillimet bashkëkohore në fushën e konservimit dhe bashkëpunon me rrjete ndërkombëtare si UNESCO, ICCROM, ICOM etj.
  7. Raporton rregullisht tek përgjegjësi i sektorit dhe respekton detyrimet institucionale, etike dhe ligjore në ushtrimin e funksionit.

Kushtet dhe kriteret e përgjithshme

Kandidati duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme:

  • Të jetë shtetas shqiptar.
  • Të ketë zotësi të plotë për të vepruar.
  • Të zotërojë gjuhën shqipe, të folur dhe të shkruar.
  • Të jetë në kushte të mira shëndetësore për të përmbushur detyrat e vendit të punës.
  • Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për vepër penale.
  • Të mos ketë marrë masë disiplinore largimi nga puna për shkelje të rëndë.
  • Të ketë sjellje dhe integritet të lartë etik dhe moral.

Kriteret e veçanta

  • Diplomë e arsimit të lartë në një nga fushat: Konservim, Restaurim, Trashëgimi Kulturore, Arkeologji, Arte të Bukura, ose fusha të ngjashme.
  • Të ketë minimumi 3 (tre) vite përvojë pune në konservimin e objekteve muzeore.
  • Të ketë aftësi në përgatitjen dhe zbatimin e projekteve konservuese.Të zotërojë një gjuhë të huaj perëndimore (preferohet anglisht).
  • Të njohë përdorimin bazë të programeve kompjuterike (Word, Excel, PowerPoint)
  • Të jetë i/e gatshëm/e të punojë me orar të zgjatur, sipas nevojave të institucionit.

Dokumentacioni i kërkuar për aplikim

  1. Kërkesë për aplikim;
  2. Curriculum Vitae (CV);
  3. Fotokopje e kartës së identitetit;
  4. Kopje e noterizuar e diplomës dhe listës së notave;
  5. Dokument që vërteton përvojën e punës (librezë pune ose kontrata të mëparshme);
  6. Certifikata të trajnimeve apo kualifikimeve shtesë (nëse ka);
  7. Vërtetim nga mjeku për gjendjen shëndetësore;
  8. Vetëdeklarim mbi gjendjen gjyqësore;
  9. Letër motivimi dhe referencë nga punëdhënësi i mëparshëm.

Afati dhe mënyra e dorëzimit

Dokumentet duhet të dorëzohen deri në 14 Korrik, ora 16.30 nga data e publikimit të këtij njoftimi, në adresën: Muzeu Historik Kombëtar, “Rr. “Aleksandër Moisiu” Nr. 76, ish Kinostudio “Shqipëria e Re”, kati II, godina “Albafilm”, Tiranë, ose nëpërmjet postës elektronike në adresën zyrtare: muzeuhistorikkombetar@mhk.gov.al.