Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 tetor 1981. Ai është institucioni më i rëndësishëm muzeor në Shqipëri. Muzeu Historik Kombëtar synon të nxisë mirëkuptimin e vlerësimin e historisë së Shqipërisë te publiku vendës, kombëtar dhe ndërkombëtar. Ai synon, gjithashtu të inkurajojë dialogun midis qytetarëve për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen shqiptare. Për këtë qëllim, ai ruan dhe studion provat materiale dhe jomateriale të trashëgimisë historike dhe kulturore të Shqipërisë, të cilat i komunikon dhe i paraqet në një mjedis, që nxit edukimin. Ai organizon dhe mundëson, gjithashtu aktivitetet, që përkrahin vizionin dhe misionin e tij. Ndërtesa e Muzeut Historik Kombëtar zë një sipërfaqe të përgjithshme prej 27.000 m2; ka sipërfaqe ekspozimi prej 18.000 m2 dhe një vëllim të përgjithshëm prej 81.000 m3. Në mjediset e muzeut janë rreth 6200 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore, duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Objekte të ekspozuara janë rreth 3100. Pjesa tjetër e objekteve janë në fonde. Aktualisht, Muzeu Historik Kombëtar ka shtatë pavijone: Lashtësia, me 585 objekte; Mesjeta, me 217 objekte; Ikonografia, me 90 objekte (nga të cilat 70 janë ikona dhe 20 janë objekte liturgjike kishtare); Rilindja Kombëtare, me 230 objekte; Pavarësia, me 142 objekte etj. Për konceptimin dhe përmbajtjen e Muzeut Historik Kombëtar ka punuar një grup pune, i përbërë nga specialistët më të mirë të muzeologjisë, arkeologjisë, historisë, etnografisë, artit pamor dhe restaurimit. Grupi i punës është drejtuar nga personalitete të shquara, si Gani Strazimiri, Koço Miho, Besim Daja, Skënder Luarasi, Valentina Pistoli, Sami Pashallari, Ilia Papanikolla, Robert Kota, Latif Lazimi, Guri Pani, Maksim Mitrojorgji, Magdalena Furxhiu, Odhise Paskali, Kristaq Rama, Shaban Hadëri, Foto Stamo, Fatmir Haxhiu, Guri Madhi, Ndreçi Plasari, Stefanaq Pollo, Kristo Frashëri, Selim Islami, Kleanthi Dede, Ballkize Haxhihyseni, Taqi Miho e shumë të tjerë. Muzeu Historik Kombëtar është institucion studimor shkencor. Krahas sallave të pavijoneve, muzeu ka edhe mjediset e arkivit e të laboratorëve, salla të ekspozitave të përkohshme dhe salla konferencash.
24 Shkurt
Në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit”, Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Shoqatën e Historianëve Ushtarakë dhe Organizatën Kombëtare të Dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare organizuan aktivitetin përkujtimor: “Përherë me ne”